Majko: Amnistia penale të jetë e përvitshme, nuk duhet lënë në subjektivitetin e politikës

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko propozoi sot që amnistia penale të jetë e përvitshme dhe nuk duhet lënë në subjektivitetin e politikës.

Gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve të projektligjit për “Amnistinë penale”, Majko u shpreh se amnistia në asnjë rast nuk është fenomen politik.

“Ajo që do të propozoja unë është që parlamenti edhe me rastin e kësaj amnistie t’i propozojë ministrit të Drejtësisë që amnistia të bëhet e përvitshme. Për shembull me rastin e festës kombëtare dhe mbase për këtë mund të promovohet edhe një akt legal lidhur me këtë çështje dhe për festën kombëtare të ketë çdo vit amnisti. Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me mëshirën, por me politikën penale”, theksoi ai.

Majko tha se politika penale sot është një vlerësim që duhet bërë në bashkëpunim të ngushtë me sistemin e drejtësisë.

“Jam i bindur se ministri ka pasur kohën e mjaftueshme të bëjë konsultime si me Prokurorin e Përgjithshëm, KLP-në, KLGJ-në që në mënyrë më të strukturuar mund të bëjnë të mundur që çdo vit të ketë amnisti. Mendoj se amnistia nuk duhet lënë në subjektivitetin e politikës, jemi të mëshirshëm ne dhe e bëjmë këtë amnisti, nuk bëjmë kuorumin dhe shty të shtyjmë”, tha ai.

Majko nënvizoi se amnistia është politikë penale. “Ajo duhet të bëhet e përvitshme, duhet të jetë pjesë e politikës penale dhe me këtë duhet të çdramatizojmë gjithë historitë me ngarkesa mbi nene të caktuara. Këtë vit mund të bëhet kjo amnisti, por mund të shikohet edhe një amnisti tjetër për festat kombëtare dhe pastaj të përcaktohet rituali në vazhdim. Amnistia nuk bëhet se burgjet janë plot. Amnistia bëhet edhe për këtë arsye dhe si pjesë e një politike penale duhet të bëhet e përvitshme. Është e tepërt që ne të futemi në detaje do amnistohen protestuesit nga kjo datë në këtë datë dhe do lihen të paamnistuar nga kjo datë në këtë datë, se ashtu janë ca interesa brenda opozitës. Gjërat të përcaktohen sipas parimeve të qarta dhe sa më pak subjektivizëm”, tha Majko.