Opozitë e Bashkuar pa Bashën, Shehin dhe Idrizin, Meta: Unë firmosa, por nuk pashë se kush jo
Një ditë më parë partitë opozitare firmosën marrëveshjen e krijimit të një koalicioni gjithëpërfshirës si pjesë e aksionit politik në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por në këtë bashkim mungonin LZHK-ja e Dashamir Shehit, PD-ja e Lulzim Bashës dhe PDIU-ja e Shpëtim idrizit. Pikërisht për këtë bashkim të pjesshëm u pyet në konferencën për shtyp këtë të shtunë edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pse mungoi firma e Dashamir Shehit, Shpëtim Idrizit dhe Lulzim Bashës në marrëveshjen mes opozitës?
Ilir Meta: Së pari mua më është propozuar një dokument si kreu i PL nga ana e PD, dhe ai dokument që është bërë publik, besoj se është shumë parimor dhe është në përputhje të plotë me objektivat e PL.
Nuk kam parë fare se kush e ka firmosur këtë dokument.
E kam firmosur sikurse do firmosja gjithçka pozitive që i shërben përpjekjeve të përbashkëta për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese dhe për një demokraci funksionale!
Pavarësia e Kosovës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në 16 vjetorin e Pavarësisë, gjatë një konference për mediat, është shprehur se Kosova është një shtet i suksesshëm.
“Kosova ka dëshmuar të jetë kampione në botë jo vetëm në xhudo, por ka treguar mbi gjitha se mund të jetë kampion në rajonin tonë edhe në nivele më të gjëra sa i takon demokracisë funksionale, zgjedhjeve të lira e të ndershme që janë një problem i madh për vendin tonë, për Serbinë dhe për shumë vende të tjera në këtë rajon.
Kosova ka treguar të jetë lider në shumë indekse që kanë të bëjnë me transparencën, mirëqeverisjen, përfshirjen sociale, gjë që tregon se është një shtetit i suksesshëm.
Përpjekjet për ta dështuar këtë shtet përmes projekteve tinëzare për ndryshimin e kufijve, për ndarjen e Kosovës, margjinalizimin e saj përmes të ashtuquajturit Ballkani i Hapur kanë dështuar dhe do të dështojnë edhe në të ardhmen.
Besojmë se Kosova do të vazhdojë të konsolidojë arritjet e saj dhe njëkohësisht të ketë vendin e merituar në BE e NATO”, theksoi Meta.



