Dita e Pavarësisë së Kosovës, Nikolla: Dialogu i lehtësuar nga BE, rruga e vetme drejt paqes!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndet Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe thekson se Dialogu i lehtësuar nga BE, rruga e vetme drejt paqes!

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar.

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA, BE dhe NATO.

Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE.

Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5.

Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.”, shprehet kryeparlamentarja Nikolla.