Nations League/ Shqipëria shmang superfuqitë, Kosova me fat. Përsëri “grup ferri” për Italinë

UEFA ka hedhur sot në Paris shortin për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Turneu i cili ka zëvendësuar miqësoret në kontinent, po tërheq mjaft interes edhe për faktin se u mundëson ekipeve kombëtare që të ndeshen me rivalë të të njëjtit nivel.

Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion nuk do të jetë i thjeshtë, ndonëse kuqezinjtë kanë shmangur superfuqitë që mund t’i vinin përballë goglat.

Emri që ka dalë nga vazo e parë në Ligën B ku bën pjesë, është ai i Çekisë, një kundërshtar me të cilin skuadra e Silvinjos u ndesh në eliminatoret e Euro 2024.

Nga vazo e dytë ishte Ukraina ajo që u caktua si kundërshtar, një rival jo i thjeshtë, por që mund të ndikohet nga fakti që nuk luan në vendin e saj për shkak të luftës.

Ndërkohë, në vazon e fundit janë shmangur ekipe si Turqia e Greqia, por përballë do të jetë Gjeorgjia e Kvrataskhelias, i cili po lë shenjë në futbollin europian.

Ndërkohë Kosova ka rezultuar disi me fat, pasi është shortuar në grupin C2 me Rumaninë, Qipron dhe me fituesin e sfidës Lituani-Gjibraltar.

Sa u përket Ligave të tjera, bie në sy Grupi A2 në Ligën A, ku janë vendosur shumë skuadra të mëdha përkrah njëra-tjetrës. Italia do të ndeshet me Belgjikën dhe Francën, në një grup ku në teori “viktima” do të jetë Izraeli.

Në këtë edicion Liga e Kombeve ka risi të veçanta, pasi edhe skuadrat e vendit të tretë nuk e kanë të sigurt mbijetesën në Ligë, pasi do të luajnë në play-out me ekipet e vendeve të dyta në ligën më poshtë.

LIGA A
Grupi A1:
Kroaci, Portugali, Poloni, Skoci
Grupi A2:
Itali, Belgjikë, Francë, Izrael
Grupi A3:
Holandë, Hungari, Gjermani, Bosnjë Hercegovinë
Grupi A4:
Spanjë, Danimarkë, Zvicër, Serbi

LIGA B
Grupi B1: 
Çeki, Ukrainë, Shqipëri, Gjeorgji
Grupi B2:
Angli, Finlandë, Irlandë, Greqi
Grupi B3:
Austri, Norvegji, Slloveni, Kazakistan
Grupi B4:
Uells, Islandë, Mali i Zi, Turqi

LIGA C
Grupi C1:
Suedi, Azerbajxhan, Sllovaki, Estoni
Grupi C2:
Rumani, Kosovë, Qipro, Lituani/Gjibraltar*
Grupi C3:
Luksemburg, Bullgari, Irlanda e Veriut, Bjellorusi
Grupi C4:
Armeni, Ishujt Faroe, Maqedonia e Veriut, Letoni

LIGA D
Grupi D1:
Lituani/Gjibraltar, San Marino, Lihtenshtejn
Grupi D2:
Moldavi, Malta, Andorra