Nisma sociale e Partizanit, akord me Ministrinë e Drejtësisë për integrimin e të rinjve në konflikt me ligjin
Klubi i Partizanit ka nënshkruar sot një akord bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë për një nismë sociale.
Duke e parë sportin si një mjet integrimi në shoqëri, të kuqtë do të bashkëpunojnë me Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, në mënyrë që të përfshijnë në aktivitete sportive edhe të rinjtë që janë në qendrat e rehabilitimit dhe riedukimit.
“Partizani dhe Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) kanë konkretizuar sot marrëveshjen e bashkëpunimit dypalësh për përfshirjen në aktivitete të ndryshme sportive të të miturve/ të rinjve në konflikt me ligjin, në kuadër të integrimit të tyre në shoqëri.
Kjo marrëveshje ka për qëllim promovimin e sportit si një ndër mekanizmat më të mirë të parandalimit të sjelljeve të kundraligjshme te të rinjtë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është konkretizuar në ambientet e kompleksit sportiv Partizani nga Sekretari i përgjithshëm i Partizanit Z. Gerald Burba dhe Znj. Klaudia Hasanllari Drejtore e (QPKMR).
Për të parën herë dy institucionet angazhohen zyrtarisht në përfshirjen e aktiviteteve sportive, jo vetëm si aktivitete argëtuese por më e rëndësishmja aktivitete edukuese.
