Shkodra: Dinari, instrument i Serbisë në dëm të ekonomisë së Kosovës. Mbyllja e institucioneve paralele serbe, është vendim i duhur
Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës Selam Shkodra vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës është një vendim tërësisht i drejtë dhe i mbështetur në legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Por ai tha në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” se shqetësimi i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të SHBA-së për këtë vendim lidhet me një kërkesë për t’i dhënë kohë nisjes së zbatimit të këtij vendimi, pasi sipas tij SHBA ka frikë për një tension të mundshëm etnik në veri.
“Pas nxjerrje së Rregullores nga BQK-ja e shoqëruar edhe nga një vendim për nxjerrjen nga qarkullimit të dinarit serb. Reagimet janë të ndryshme të ndërkombëtarëve dhe shihet që ka një lloj pakënaqësie lidhur me këtë vendim që për mua është një vendim i drejtë dhe i ligjshëm nga institucionet e Kosovës. I bazuar tërësisht me Kushtetutën e vendit, dhe mendoj se është koha e duhur për ta nxjerrë këtë instrument të Serbisë jashtë territorit të Kosovës, ku siç dihet Seerbia ka bërë shumë dëm ekonomisë së vendit.
Bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA kanë ngritur një shqetësim se mund të ketë një eskalim të situatës dhe që mund të ketë dhe një protestë nga serbët në Kosovës. Dhe duhet të kuptohemi që SHBA nuk ëhstë kundër këtij vendimi, por për ta shtyrë atë. Dhe unë mendoj se duhet më shumë kohë për ta shtyrë në mënyrë që të përgatiten qytetarët serbë”, u shpreh Shkodra.
Ndërsa lidhur me aksionin e policisë së Kosovës në kundër strukturave paralele, ku këtë të premte mësohet se janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës theksoi se mbyllja e këtyre institucioneve paralele janë të drejta dhe të ligjshme.
“Pasi nuk mund të veprohet brenda territorit të një shteti të pavarur me ligje dhe institucione të një shteti tjetër. Sidomos kur bëhet fjalë për një shtet që ka kryer një gjenocid në këtë territor. Dhe i njëjti shtet bën çmos për të zhbërë Pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, theksoi ndër të tjera Selam Shkodra.


