Dinari nuk do lejohet, Konjufca: Vendimmarrja ishte e Bankës Qendrore, nuk presim sanksione të reja
Kryetari i parlamentit të Kosovës nuk pret të ketë masë shtrënguese nga ndërkombëtarët pas heqjes nga qarkullimi të dinarit. Sipas tij vendimmarrja është prej bankës qendrore ku qeveria nuk mund të ndërhyjë. Nga ana tjetër opozita ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Qeveria e Kosovës nuk tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar qarkullimin e dinarit serb në territor.
Megjithatë, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca shton se mund të ishte lënë më shumë kohë për tu përgatitur në këtë ndryshim të përdorimit të parasë.
Nisur nga qëndrimet e ashpra të departamentit amerikan të shtetit, që e cilëson të nxituar dhe pa bashkërendim, Konjufca shton se nuk pret masa shtrënguese ndaj vendit.
Sipas tij dinari ka qenë i paligjshëm më herët, dhe qeveria nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e një institucioni të pavarur.
Por kritik shfaqet opozita, Abelard Tahiri i PDK-së ngre shqetësimin për marrëdhëniet me partnerët.
PDK kërkoi nga kuvendi ngritjen e dy komisioneve hetimore, një për ministrinë e jashtme dhe tjetri për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga mjekësia ligjore.
