17 vjet nga plani i Ahtisarit, 2 shkurt 2007 nisi rruga për shpalljen e Kosovës “Shtet i Pavarur”

17 vite më parë, më 2 shkurt 2007, Marti Ahtisari do të dërgonte në Prishtinë e Beograd propozimin që do t’i hapte rrugë Pavarësisë së Kosovës.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd. 17 vjet më parë, kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se Marti Ahtisari do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa përmendur fjalën pavarësi.

Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.

Një element i rëndësishëm i Marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e saj dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Plani i tij gëzoi atëkohë mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa, u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prekte sovranitetin e shtetit serb.

Dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, negociatat u përmbyllën në 10 mars me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

Më 26 mars Ahtisari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.

Më 17 shkurt 2008, Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare veten shtet.

Prej asaj kohe Kosova është sot shtet i pavarur dhe i njohur nga pjesa më e madhe e BE-së, ndërsa në fillim të këtij viti për qytetarët e saj u hoqën vizat për në zonën Shengen.