Rama-Koçiu: Qendra e Transfuzionit të Gjakut, pajisje të teknologjisë së lartë, digjitalizim i zinxhirit dhurues-pacient

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektuan sot godinën e rindërtuar të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Tiranë.

E transformuar me pajisje të teknologjisë së lartë dhe digjitalizim të plotë të zinxhirit dhurues dhe pacient, si edhe e certifikuar nga Bashkimi Europian, sipas Kryeministrit, kjo qendër është kthyer në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor.

Kryeministri Rama vlerësoi se rindërtimi i plotë i godinës, standardet europiane në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje të gjakut, bashkëpunimi teknik me qendrën homologe franceze si edhe stafi i kualifikuar dhe i mirëpaguar, kanë ndikuar fuqishëm në rritjen me 50% të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, e në përgjigjen e duhur të të gjitha nevojave për këtë material të çmuar jetësor.

Ministrja Koçiu theksoi se ky është një investim i realizuar me fondet e buxhetit të shtetit për vitin 2023.

“Bëhet fjalë për një investim total jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në pajisje dhe ngritje të kapacitete të personave që shërbejnë këtu. Janë 60 punonjës që shërbejnë për të gjithë ata dhurues që paraqiten këtu dhe dhurojnë gjak”, u shpreh Koçiu.

Ministrja bëri të ditur se do të ripërsëritet edhe këtë vit fushata e dhurimit të gjakut, duke nisur me punonjësit e administratës publike, për të vijuar në sektorin privat dhe shoqërinë civile. Koçiu siguroi se qendra është e pajisur me të gjitha kushtet që garantojnë një cilësi të produktit të gjakut.

Ministrja u ndal edhe te pajisjet bashkëkohore me të cilat është e pajisur kjo qendër, të cilat ofrojnë sistem të informatizuar duke shmangur çdo gabim njerëzor, por ndërkohë edhe duke siguruar që cilësia e produktit në fund të ketë gjithë parametrat e nevojshëm.