VIDEO/ Denoncimi i fortë i Berishës: Agron Malaj i Matit po vjedh në Tiranë me miliona euro nga taksat e qytetarëve

“Kryebashkiaku socialist i Matit, Agron Malajt po vjedh përmes kompanisë së tij në Tiranë miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarëve” - Ishte ky denoncimi i bërë mbrëmjen e djeshme nga ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse ndaj mbështetësve të tij të mbledhur poshtë ballkonit të banesës ku ndodhet i izoluar prej afro 1 muaji.

Gjatë fjalës së tij në protestën e mbështetësve të tij dhe të Partisë Demokraike, Berisha ngriti pretendimet se Agron Malaj po vjedh në Tiranë duke thënë se firma në emër të vëllait të Malajt ka vjedhur mbi 30 milionë euro.

Po ashtu, Berisha ka kujtuar edhe 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike Dega Mat, në protestën e djeshme poshtë banesës së tij nga mbështetësit e liderit të opozitës.

Berisha ka theksuar se banorët e Matit janë më të persekutuarit e regjimit, ku Agron Malaj vjedh miliona euro nga taksat e qytetarëve.

PJESË NGA DENONCIMI I BERISHËS

Miqtë e mi! Me praninë tuaj, sakrificën tuaj të përnatshme ju jeni bërë burim shprese për çdo shqiptar.

Ju po zgjoni çdo ditë e më shumë, luanin e fjetur tek shqiptarët.

Ju po trimëroni dhe rrisni guximin e shqiptarëve kudo që janë.

Unë sot kam një përshëndetje të përzemërt për përfaqësuesit e Matit dhe Bulqizës që janë mes  jush.

Dua të përshëndes demokratët e Matit, në 33 vjetorin e themelimit të degës së PD.

Të përshëndes demokratët e Bulqizës.

Të dashur miq!

Themelimi i PD-së në Mat është një akt epik. Mati 33 vite më parë mbi të gjitha ishte qendër ushtarake, qendër divizioni, qendër të themi të vërtetën, regjimi nga një anë kishte persekutuar thellësisht banorët e Matit, nga ana tjetër kishte bërë gjithçka për të mbajtur nën kontroll të plotë, për të shtypur sa më shumë ata.

Atë ditë, Azem Hajdari në një miting me guximtarët e Matit, u përball me një situatë ndër më të rrezikshmet.

Falangat ekstremiste, terroriste, donin me çdo kusht të provokonin gjakderdhje.

Por dështuan. Demokratët, për armë të vetme kishin guximin dhe ngadhënjyen mbi ta.

Dega e themelua dhe dega e Matit do të shndërrohej në një nga degët më të suksesshme të PD.

Mati, Bulqiza, Dibra janë sot zonat më të ndëshkuara, më të vjedhura, më të plaçkitura, më të rrënuara.

Të dashur miq!

Denisa foli për Agron Malajn. Por a e dini ju se ku vjedh më shumë Agron Malaj? Vjedh në Tiranë me Erion Veliaj. Firma e tij me emër të të vëllait, ka ndarë me Erion Veliajn dhe ujësjellësin mbi 30 mln euro.

Është një rrjet i tmerrshëm hajnash, hajdutësh të pamëshirë, që ndajnë pasuritë tuaja me njëri tjetrin.