Më mirë se Ronaldo? Vlahovic jep këtë përgjigje
Serbi ka realizuar në tre takime radhazi për bardhezinjtë në kampionat, ndërsa në dy të fundit ia dalë të shënojë nga një dygolësh.
Këtë statistikë për herë të fundit e regjistronte Gonzalo Higuain në vitin 2017, ndërsa dy dygolësha radhazi nuk mundi t’i shënonte as Cristiano Ronaldo në epokën e tij te Juventusi.
Megjithatë, Vlahovic qëndron me “këmbë në tokë” dhe kërkon të shmangë çdo krahasim me një si CR7.
“Unë më mirë se Ronaldo? Të mos e ekzagjerojmë. Jam shumë i lumtur për golat, mbi të gjitha sepse ato kanë ndihmuar skuadrën të fitojë ndeshjet.
Golat ia dedikoj edhe shokëve të skuadrës pasi nuk do të kisha shënuar pa ndihmën e tyre. Nuk kam ndryshuar asgjë, thjesht tani jam në formën më të mirë fizike, nuk kam pasur shqetësime.
Po punoj si gjithmonë, kujdesem shumë për trupin, ushqehem mirë dhe fle mirë. Nuk bëj asgjë ndryshe nga më parë, por falë Zotit nuk kam pasur probleme. Shpresoj të vazhdoj kështu”, u shpreh Vlahovic.


