Sot, finalja e Superkupës së Italisë, Mazzarri paralajmëron Interin: Jemi ende kampionët e Italisë
Mbrëmjen e sotme në Arabinë Saudite do të luhet finalja e Superkupës së Italisë mes Napolit dhe Interit. Një trofe që mund t’i japë sadopak kuptim këtij sezoni zhgënjyes për Napolin kampion të Italisë.
“Është hera e dytë që luaj për këtë trofe, shpresoj ta fitoj këtë herë, por jam i lumtur dhe krenar për atë që kam bërë në karrierën time”, tha trajneri i Napolit, Walter Mazzarri.
“Fillova gjithçka nga e para dhe tani jam këtu duke luajtur për këtë trofe. Sot, skuadra ka më shumë rëndësi se Mazzarri. Këtu ka djem të mirë, të rinj që duhet të kuptojnë se një mundësi si kjo nuk e di nëse do të ndodhë përsëri. Dhe kjo duhet të jetë një nxitje e mëtejshme për ta”, tha trajneri i Napolit.
Për ndeshjen e sotme ndaj Interit, që kryeson renditjen e Serie A, trajneri i Napolit shtoi:
“Respekt, por luajmë pa frikë. Ju kujtoj se jam duke stërvitur një ekip të madh dhe këta djem janë kampionë të Italisë, ndaj meritojnë respekt. Në kampionat dolëm më mirë, për sa i përket posedimit të topit dhe mundësive. Më pas përfundoi 3-0 për ta… Për sa i përket mentalitetit, do luajmë në kushte të barabarta sot”.
Në lidhje me skuadrën që do të hedhë sot në fushë, Mazzarri tha: “Cajuste është mirë dhe do të luajë. Zielinski gjithashtu është mirë, por të shohim sa minuta do të luajë. Duhet të kuptoj nëse Demme mund të jetë në pankinë, ndërsa Olivera nuk do të luajë”.


