Reagon PD e Bashës, Bano: Reforma Zgjedhore, e domosdoshme për të mirën e përgjithshme

Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Eralda Tase Bano në një deklaratë nga selia u shpreh sot se ekzistojnë një sërë çështjesh të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, çështje të cilat Partia Demokratike do t’i ngrejë fort si probleme në vijim.

Së pari, ajo renditi Reformën Zgjedhore e cila sipas saj, mbetet një nga ato pika të cilat Partia Demokratike cilëson si të domosdoshme për të mirën e përgjithshme.

Sipas saj, taksimi i ri ndaj bizneseve ka sjellë pakënaqësi të përgjithshme te qytetarët. “Ndryshimet e vazhdueshme dhe paaftësia për të analizuar me kujdes të gjitha pasojat ngative të ndryshimeve të propozuara nga qeveria rëndojnë vetëm dhe vetëm mbi taksapaguesin”, tha Bano.

“Arsimi mbetet prioritet i Partisë Demokratike dhe prioritet i imi personal, pasi situata aktuale është alarmante dhe të dhënat që vijnë çdo ditë janë një tregues se arsimi shqiptar gjendet në prag të kolapsit total”, theksoi ajo, duke u ndalur edhe tek mjedisi.

“Raportet e reja ndërkombëtare sjellin shifra alarmante për cilësinë e ajrit në Shqipëri. Për më tepër situata e mbetjeve urbane është një çështje e cila veç dëmit ekonomik ka sjellë dëm ambiental i cili pavarësisht përpjekjeve të dështuara për të mbuluar të dukshmen, është padyshim një problem të cilit do vazhdojmë t’i japim zë në këtë vit, edhe më fuqishëm”, vijoi Bano.

Së fundmi, Bano foli për korrupsionin duke thënë se korrupsioni dhe aferat korruptive kolosale të qeverisë aktuale janë thelbi i shumë problemeve.