Bergner: Mbështesim reformat e mëtejshme dhe rritjen e qëndrueshme në Shqipëri

 “Gjermania e mbështet fuqishëm procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, kështu është shprehur ambasadori gjerman në Shqipëri Karl Bergner, në takimin e zhvilluar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.

Bergner, e cilësoi pritjen vjetore të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizuar të mërkurën, në ambientet e Ambasadës Gjermane, një mundësi të mirë për të shkëmbyer ide mbi perspektivat ekonomike të vitit 2024.

Sipas tij, prania e ministrit të ri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja një ditë pas marrjes së detyrës ishte simbol i marrëdhënieve të ngushta gjermano-shqiptare edhe në fushën e ekonomisë .

Ambasadori Bergner shprehu vlerësimin e tij për zhvillimin pozitiv ekonomik të Shqipërisë vitin e shkuar, pavarësisht kushteve të vështira.

Ai theksoi rëndësinë e progresit të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE , të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm.

“Gjermania gjithashtu do të vazhdojë të mbështesë reformat e mëtejshme në fushën e sundimit të ligjit dhe në promovimin e rritjes së qëndrueshme, ndër të tjera nëpërmjet masave të Bashkëpunimit Ekonomik gjerman”, tha Bergner.