Tensionet në Veri, Hasani mesazh Beogradit: Nuk i çohet ushtria fqinjit në kufi. Kurti ka pranuar formulën e Brukselit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ndodhet sot në Kosovë në kuadër të një turi rajonal. Në një konferencë të përbashkët me homologen Donika Gërvalla, ai pati një mesazh edhe për Serbinë.

Ai shtoi se Kosova e ka aleat të përjetshëm Shqipërinë, derisa pati edhe një mesazh për Serbinë dhe kërcënimet e saja përmes dërgimit të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.

“Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keqe Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës.

Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe në kufi të Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21 se nuk i qohen ushtri më të kufiri fqinjëve dhe askush nuk duhet të vazhdoj më këtë lojë që është qesharake se të gjithë e kemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha ministri Hasani.

Hasani është pyetur gjatë konferencës së përbashkët me homologen e tij nga Kosova Donika Gërvalla edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pyetur mbi këtë temë, Hasani tha se ka pasur avancime dhe se ka pasur një pranim të formulës së vendosur në tryezë në Bruksel nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Ai theksoi se Shqipëria gjithmonë do të ofrojë zgjidhjet më të mira për Kosovën bazuar në zbatimin e ligjit.

“Ka avancim, kam përshtypjen se ka një pranim të një formule që është vendosur në tavolinë në 26 tetor në Bruksel nga ana e kryeministrit Kurti.

Shqipëria gjithmonë do të ofrojë zgjidhjet më të mira për Kosovën bazuar në zbatimin e ligjit dhe respektimin e minoriteteve”, tha ministri Hasani mes të tjerash.