Skuka flet si lojtar i Partizanit: Jam njëri prej jush, rikthimi im i mirë për klubin dhe mua

Xhuliano Skuka është goditja e madhe e Partizanit në merkaton e janarit. Kampionët e Shqipërisë e kanë marrë në huazim deri në fund të sezonit 25-vjeçarin, i cili është gati të nisë aventurën e dytë me “Demat”. Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit, sulmuesi theksoi se u rikthye për të fituar titullin.

“Rikthimi? Normal që shpresoj që rikthimi të jetë mirë për mua dhe ekipin. Kam ardhur për të dhënë maksimumin. Unë kam shumë besim te ky ekip. Kam ndjekur edhe ndeshjet e fundit, cilësia nuk mungon. Grupi është, besoj që edhe me pak fat do arrijmë t’ia dalim për titullin kampion.

Rivalët? Kampionat i fortë. Dinamo po rikthehet shumë fort, Vllaznia po ashtu. Egnatia është ekip i mirë, Tirana. Besoj që do të ketë një luftë të ashpër deri në fund të kampionatit.

Mesazhi për tifozët e kuq? Kam marrë pafund mesazhe, besoj që do të më shërbejnë për mirë. Sepse është e vetmja gjë për moralin që ndikon. Në dy ekipet e fundit më ka munguar.

Besoj se do arrijmë objektivat. Dua t’u them tifozëve që dua t’u shoh sa më shumë çdo ndeshje. Mos harroni që unë jam njëri prej jush”, deklaroi sulmuesi dibran.