Balla: Policia e Shtetit plan efektiv masash për të vënë para ligjit personat me tendenca kriminale

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se “na duhet një kontroll edhe më i fortë në mbarë territorin e vendit, për të identifikuar dhe vënë para ligjit personat që posedojnë armë zjarri, personat në kërkim, personat me tendenca kriminale në fushën e krimeve ndaj personit e pronës dhe trafikimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe të rrisim vigjilencën në parandalimin e krimeve me bazë gjinore”.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla tha se “pres nga Policia e Shtetit një plan efektiv masash dhe kontroll të imtësishëm në territor, duke shfrytëzuar inteligjencën policore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese”.

“Ky Plan i ri masash do të ketë detyra konkrete për Forcën Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Policinë Rrugore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen dhe çuarjen para drejtësisë të personave përgjegjës”, theksoi Balla.

Ministri Balla u shpreh se “rezultatet e arritura përgjatë vitit 2023 në drejtim të rendit dhe sigurisë, të luftës ndaj krimit në përgjithësi e krimit të organizuar në veçanti duhen përmirësuar akoma më tej”.