Dhuna në PD, "provokon" deputetja Flutura Açka: SPAK të hetojë 8 janarin 2022

Flutura Açka, Deputete e Partisë Demokratike, kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, hetimin e 8-janarit 2022, kur Sali Berisha dhe ndjekësit e tij të grupimit të “Rithemelimit” kërkuan marrjen me dhunë të Selisë blu, ndërsa brenda saj ishte Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe grupi parlamentar demokratë.

Në një reagim në rrjetet sociale, në 2-vjetorin e përplasjes në selinë blu, Açka thekson se nuk ka asnjë ndjesë publike pas dy viteve nga ajo ngjarje, teksa i kërkon SPAK hetimin e dhunës.

“Në fakt 8 janari ynë është bërë për SPAK, sepse: Nuk ka asnjë ndjesë në dy vjet. Por kam tri pyetje: Ku është fatura e 1 700 hunjve ndaj demokratëve?

Ku është fatura e pagesës së keqbërësve me pagesë, të njëjtët që morën pjesë më 21 janar në anën e PS dhe sa herë në anët ku kërkohen si mercenarë, specialistët e levave dhe kokadashëve?

Ku është fatura për median që i kushtoi disa emisione shpërthimit të dyerve të blinduara (ftesë për dhunë të hapur), duke ftuar specialistë të fushës së shpërthimeve e levave kokës? 8 janari është TURPI ynë i ngrënë me bukë!”, thekson Açka.

Sipas saj, ata që organizuan 8 janarin duhet të kërkojnë ndjesë.

“Dhe prapë, specialistët e tymit, flakës, dhunës flasin për demokraci. Nuk ishte vetëm 8 janari, por edhe ajo çfarë e pasoi 8 janarin, nga e cila zor se do të shërohemi lehtë. Duhet humanizëm, dhe politika shqiptare nuk e njeh këtë fjalë, të paktën aq sa kam mundur ta njoh unë.

Kjo është arsyeja pse kam zgjedhur anën e më humanes së mundshme në lebetinë tonë, me të cilën duket se jemi mësuar tashmë. Të paktën, kërkoni ndjesë! Kush ka për të kërkuar!”, nënvizon deputetja Flutura Açka.