FOTO/ Ky është Gëzim Sinomati, i riu që u vra mbrëmjen e djeshme me një plumb në kokë në Vlorë

Ky është Gëzim Sinomati, 22-vjeçari i cili u vra mbrëmjen e djeshme me një plumb në kokë në Vlorë teksa doli në ballkonin e banesës për të pirë cigare. I riu që sapo ishte kthyer nga Belgjika u qëllua me snajper, një ekzekutim mafioz të cilit nuk i mbijetoi dot.

Ekzekutori dyshohet se ka qenë një person, i cili më pas është ndihmuar nga 2 persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, sapo i riu është qëlluar me plumb në kokë, dritat në zonë janë fikur dhe qyteti ka qenë në errësirë.

Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen.

Ndërkohë, pesë minuta pas ekzekutimit, në lagjen 24 ‘Maji’ është djegur dhe automjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët. Burimet thonë se deri më tani nuk është gjetur ende arma e krimit.

Vrasja dyshohet se ka lidhje me hasmëritë e vjetra mes dy grupeve kriminale në Vlorë. Ndërsa një tjetër pistë është dhe ajo e vrasjes për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë në Belgjikë. Për vjedhjen e kësaj sasie kokaine janë vrarë dhe dy persona të tjerë në Belgjikë.

Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si ‘buzëderri’, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000.

Ndërsa 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e sotme iu ekzekutua nipi 22 vjeçar.