Buchanan zyrtarizohet si blerja e parë tek Interi: Krenar që jam kanadezi i parë në Seria A
Tajon Buchanan është goditja e parë e Interit në merkaton e dimrit. Anësori kanadez është prezantuar nga klubi zikaltër pasi kaloi me sukses testet mjekësore.
Ai vjen si një forcë e shtuar për krahun e djathtë të mesfushës, pasi Juan Cuadrado nuk jep më garanci pas dëmtimeve të shumta që ka kaluar këtë sezon.
24-vjeçari vjen nga skuadra e Club Brugge, pasi belgët përfituan 7 milionë euro nga ky operacion.
“Dua ta jetoj këtë aventurë ditë pas dite, duke punuar shumë. Dua të përshtatem sa më shpejt, duke mësuar sa më shumë gjëra të jetë e mundur nga trajneri, stafi i tij dhe shokët e skuadrës që kam qenë këtu më gjatë.
Jam vërtet krenar që jam kanadezi i parë që luaj në kampionatin italian: është një arritje e madhe që më bën shumë krenar”, deklaroi Buchanan në prezantim.

