Yldiz duket në hapat e “Del Pieros” te Juventusi: Talent dhe personalitet
Juventusi siguroi një vend për në çerekfinale mbrëmjen e djeshme pas suksesit 6-1 ndaj Salernitanës. Një nga lojtarët më të spikatur ishte padyshim Kenan Yldiz, i cili hyri në pjesën e dytë dhe shënoi një “perlë” të vërtetë.
18 vjeç e 233 ditë, turku arrin të shmang disa mbrojtës me një qetësi të frikshme dhe më pas me një të djathtë shumë të fortë realizon një gol “alla Del Piero”. Madje ai imiton ish-kapitenin edhe në festimin e golave.
Talenti i ardhur në ekipin e të rinjve nga Bayerni në 2022, ka arritur të djeg shumë shpejt etapat dhe të përfshihet në skuadrën e parë duke fituar besimin e Max Allegrit.
Tifozët kanë filluar të ëndërrojnë për ta parë sërish në fushë nga minuta e parë përkrahë Vlahovic dhe Chiesa-s. Allegri mund t’i hedhë të tre titullarë, që këtë fundjavë kundër Salernitanës, por këtë herë në transfertë. /KJ/

