Mourinho transferon mbrojtësin e Juventusit, në formë huazimi deri në verë

Jose Mourinho më në fund duket se ka gjetur një mbrojtës për pjesën e mbetur të sezonit, pas dëmtimit të Smalling, Kumbulla-s ende jo në formën e duhur dhe Ndicka që do të luajë në Kupën e Afrikës.

Roma lëvizi shpejt dhe tashmë ia ka dalë të gjejë akordin me Juventusin për të transferuar në Olimpico, të riun Dean Huijsen.

18-vjeçari nga Holanda do të kalojë në Romë falë formulës së huazimit pa të drejtën e blerjes së kartonit dhe do të qëndrojë me verdhekuqtë deri në qershor.

Para se të kryhen të gjitha procedurat e mbrojtësi të niset për në kryeqytet, Huijsen do të firmosë rinovimin e kontratës me Juventusin.

Një kontratë që do ta mbajë të lidhur me bardhezinjtë deri në vitin 2028.

Huijsen pritet të gjejë më shumë hapësira në radhët e verdhekuqve e si rrjedhojë të fitojë eksperiencë nën drejtimin e një eksperti si Jose Mourinho.