Rast i paprecedentë, “Safe Journalists” thirrje gjykatës: Ktheni pajisjet gazetarit Qyno, përmbajuni nisjes së këtyre çështjeve që rrezikojnë burimet
Rasti i paprecedentë i sekuestrimit të pajisjeve nga prokuroria speciale, tek gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka risjellë reagimin për të dytën herë të një prej organizatave më të njohura në botë siç është “Safe Journalists”.
Pas reagimit të organizatës së “Reporterëve pa kufij”, e cila i bëri thirrje Gjykatës Speciale të Apelit, ti kthejë materialet e punës dhe sendet personale gazetarit Elton Qyno, një reagim tjetër ka ardhur për këtë rast, nga organizata “Safe Journalists”.
“Safe Journalists” ka dalë me një thirrje sinkron si “Reporterët pa Kufij”, duke i kërkuar gjykatës së Apelit, ti kthejë të gjitha pasjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh.
Në reagimin e tyre përmes platformës “X” organizata shpreh shqetësimin e saj lidhur me rastin, duke shkruar se:
“...@wB Journalist” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhërojë SPAK-un t'i kthejë të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh...”.
Gazetari Qyno, ka kundërshtuar në Apel vendimin e sekuestros të pajisjeve të punës, telefonat dhe sendet e tjera personale, duke i konsideruar këto veprime si të paligjshme dhe që bien në kundërshtim me konventën e lirisë së shprehjes, vendimin njësues të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe jo vetëm.
“Safe Journalists” është një nga organizatat kryesore në botë që mbron lirinë dhe të drejtat e gazetarëve profesionistë në të gjithë globin. Kjo organizatë në një deklarim të mëparshëm ka shprehur vullnetin se do monitorojë vendimet e Gjykatës dhe SPAK, lidhur me rastin e paprecedentë të gazetarit, Elton Qyno.
Shoqatat e gazetarëve vijojnë të jenë tejet të shqetësuara për atë çfarë po ndodh me gazetarin e Rtv “Ora News”, Elton Qyno, pajisjet kompjuterike dhe ato celulare të të cilit vijojnë të jenë nën sekuestron e Prokurorisë së Posaçme që prej 13 dhjetorit të vitit të kaluar.
Gazetari Elton Qyno ushtron detyrën e tij prej 18 vite, duke mos u shkëputur asnjë çast nga profesioni.
Për gjatë gjithë karrierës së tij, gazetari ka mbuluar çështje tepër sensitive që lidhen me Krimin e Organizuar brenda Shqipërisë dhe Jashtë saj.
E gjithë puna e gazetarit mbështetet mbi burimet konfidenciale të krijuara për një kohë të gjatë, brenda administratës dhe jashtë saj.

