Siguria rrugore, Balla: 1228 aksidente me 191 të vrarë dhe 187 të plagosur rëndë. U 2-fishuan mjetet në 2023
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke analizuar punën vjetore të dikasterit që ai drejton, tha se gjatë vitit 2023 numri incidenteve në rrugë është përgjysmuar në krahasim me vitin 2013, ndërsa numri automjeteve është dyfishuar.
Balla tha se në vitin 2023 akset rrugore në vend u përdorën nga 3.6 milionë mjete, teksa u regjistruan 1228 aksidente rrugore me pasoja të rënda.
“Investimet në infrastrukturën rrugore, përdorimi i teknologjisë në kontrollet e policisë rrugore ka sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë në rrugët e Shqipërisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në administrim 3600 km rrugë. Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar, nga 445.956 mjete në në vitin 2013, në 867.800 mjete në vitin 2023, ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar nga 2075 në vitin 2013 në 1228 incidente rrugore në vitin 2023”, tha Balla.
“Por nuk është vetëm kjo. Gjatë vitit 2023 kanë qarkulluar në rrugët e Shqipërisë edhe 2.74 milionë automjete me targa të huaja që kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë gjithë vitit të kaluar. Pra rreth 3.6 milionë mjete në 3600 km rrugë kombëtare, një intensitet i paimagjinueshëm”, vijoi Balla.
“Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 1228 aksidente rrugore me pasoja të rënda. Në këto aksidente rrugore evidentohen 191 të vrarë, 187 të plagosur rëndë. Janë vendosur 898,164 masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor (148.854 masa më shumë se në vitin).
Janë arrestuar 2869 drejtues mjetesh, nga të cilët 1478, pasi kanë rezultuar se e drejtonin mjetin në gjendje të dehur/në efektin e lëndëve narkotike dhe 1 391, pasi drejtonin mjetin, pa leje drejtimi. Janë pezulluar 6806 leje drejtimi.
Janë vendosur 898 425 masa administrative: 220 201 për mosrespektim të normave të shpejtësisë, 59 318 për mos-vendosje të rripit të sigurimit, 18 450 për mos-vendosje të kaskës mbrojtëse; 34 657 për përdorimin të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 75 375 për parakalime të gabuara dhe 490 424 masa për shkelje te tjera të Kodit Rrugor”, tha Balla.


