U plagos nga plumbi qorr natën e Vitit të Ri në Tiranë, familja e 51-vjeçares italiane apel për ta transferuar në Puglia
Familja e 51-vjeçares italiane që u plagos natën e Vitit të Ri në Tiranë nga një plumb qorr, kërkon ndihmë për transferimin e saj në Itali për një mjekim më të specializuar.
Avokati i shtetases italiane të identifikuar me inicialet A. K., 51 vjeçe ka nisur një apel për autoritetet shqiptare për të lehtësuar transferimin e shpejtë nga 'Spitali Universitar i Traumes' në Tiranë drejt Pulias.
“Klientja ime është e vetëdijshme. Sipas mjekëve, jeta e saj është jashtë rrezikut. Kërkojmë ndërhyrje nga institucionet vendase, për shembull rajoni i Pulias, për të lejuar transferimi i gruas me ambulancë ose avion”, është shprehur avokati Leonardo Candeloro për mediat italiane.
Ngjarja ndodhi në bulevardin Zogu I rreth orës 00:35 minuta të 1 janarit 2024. Në njoftimin e saj të shpërndarë paraditen e 1 janarit policia informoi se dyshonte se plaga mund të ishte shkaktuar nga një predhë e kalibrit të vogël, e ardhur nga lartësia por ende nuk ishte identifikuar burimi i zjarrit.
"Më datë 01.01.2024, rreth orës 00:35, në bulevardin "Zogu I", është dëmtuar dyshohet me armë zjarri, me vrimë hyrje nga lart-poshtë, me burim zjarri ende të paidentifikuar, shtetasja e huaj A. K., 51 vjeçe, e cila ndodhet në spital, ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën", informoi policia e Tiranës atë ditë.
