Mbijetojnë me 9 mijë lekë, Familja Musaku në Lushnje në gjendje të mjerueshme: Apel për ndihmë

Një familje prej 4 anëtarësh në Lushnje mbijeton vetëm me 9 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj. Një pjesë e të cilave shkojnë vetëm për ilaçet e kryefamiljarit. Me lot në sy, familja Musaku apelon për ndihmë.

Në këtë dhomë kanë vite që jetojnë. E po këtu në gjendje të mjerueshme i presin festat e fundvitit 4 anëtarët e familjes Musaku në Qerret të Lushnjes.

Kryefamiljari Luan Musaku prej 10 vitesh vuan nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme, gangrenë në fytyrë, që përparon çdo ditë, por pamjet janë të rënda e nuk mund të transmetohen.

Gruaja e tij flet për vështirësitë, teksa familja mbijeton me 90 mijë lekë në muaj.

“S’dal dot se është i sëmur, me sëmuri dhe mua, u bëra dhe un e paafte, kam vajtur në Lushnjë te kryetarja s’me ka ndihmuar. Jetojmë me 100 mije lek, ai do ilaçe se ndryshe vdes."

Banesën e vjetëruar e shkatërruan shirat e stinës ndaj banorët e fshatit kontribuuan me ndihma monetare për të riparuar çatinë, megjithatë atyre u mungojnë orenditë kryesore.

“S’kam asgjë, ja i shikoni vet orenditë.”

“S’kanë, kanë fëmijët e mitur, nuk shihen me sy.”

Në prag të festave të fundvitit, apeli shkon për solidaritet jo vetëm nga autoritetet shtetërore por për të gjithë ata që kanë mundësi për të ndihmuar sadopak.