“Dhëmbë për dhëmbë”, Berisha nga selia blu: Shpallim sot betejën pa kthim deri në shembjen e narko-regjimit

Një orë para mbledhjes së Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK-ut ndaj tij, ish-kryeministri Sali Berisha shpalli fillimin e lëvizjes pa kthim dhe, siç tha ai, për të nisur betejën “dhëmbë për dhëmbë” për shembjen e narko-diktaturës dhe regjimit të vjedhjes së votave dhe i vjedh shqiptarët sa kurrë ndonjëherë në jetën e tyre.

“Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës më të madhe pa kthim, kundër Edi Ramës. PD është vendosur që t’i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë sundimit të Ramës, bazuar në krimin, drogën, vjedhjet e shqiptarëve. Sot çdo demokrat i vërtetë ndihet një luftëtar dhe luftëtare e lirisë.”, tha ai.

DEKLARATA E BERISHËS

Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj, në çdo skaj të këtij vendi.

PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.

Sot, çdo demokrat i vërtetë ndjehet një luftëtar i lirisë. I betuar për të bërë gjithçka për shembjen e narkodiktaturës, për shembjen e regjimit, i cili u grabit votën shqiptarëve.

Për shembjen e regjimit, i cili u kontrollon vullnetin shqiptarëve. Për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre.

Për shembjen e regjimit, i cili asgjësoi parlamentin pluralist, duke iu mohuar përfaqësuesve të opozitës, të drejtat kushtetuese.

Për shembjen e regjimit më armiqësor në rrafshin e identitetit kombëtar që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre.

Sot të dhënat e regjistrimit të fundit, që po e manipulon përditë Edi Rama, janë jo më shumë se 1,5 milionë banorë.

Nëse ne vazhdojmë me Edi Ramën, ne do firmosim symbyllas shfarosjen tonë.

Sot, njëlloj si në diktaturë, dikur hetuesia speciale e Sigurimit të Shtetit, larot e Edi Ramës, prokurorë mercenarë, paraqitën në Komisionin e Mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbë nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës së vendit, ata sot paraqiten si gardë pretoriane mbi parlamentin, mbi Kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave siç e kërkon Kushtetuta, por për të kërkuar legjitimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendi, jo se ka ndryshuar gjë, se në akuzë janë zero, po se unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit, të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të parlamentit nëpërmjet mercenarëve në gjykata dhe prokurori.

Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit. Gjë të cilën nuk mund ta bëjë kurrë asnjë njeri në Shqipëri, as presidenti, as kryeministër, atë mund ta bëjë vetëm parlamenti dhe sovrani popull në referendum.

Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit, siç bënë ata me heqjen e lirisë Sali Berishës për largimin jashtë shtetit.

Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës, mbi Kushtetutën, mbi parlamentin, poshtërojnë në këtë mënyrë institucionin qendror të një republike parlamentare, de facto sot një narkorepublikë apo republikë e bandës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.

Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.

Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.

Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.

Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.

Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament.

Çdo shqiptar duhet të ndalet në një moment, të shtrojë pyetjen: beson ai apo jo se vota e lirë është jetike, që qytetarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që shteti ligjor të funksionojë.

Çdo qytetar që i beson votës duhet të shtrojë pyetjen: a ka votë të lirë me Edi Ramën?

Çdo qytetar duhet t’i thërrasë vetes, në rast se nuk do të pajtohet me një diktaturë, të ngrihemi.

Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie.

Ju rikujtoj shqiptarëve se në vitin 1997, kur armiqtë e egër që erdhën me rebelim komunist në pushtet, menduan se na shfarosën, filluam betejën me 30 vetë në oborrin e selisë sonë dhe i mundëm ata në zgjedhjet parlamentare, të cilat i vodhën.

Po kësaj here, jetën e japim, votën nuk e japim.

Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar të mendojë për veten, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve, për të ardhmen e këtij vendi. Ne jemi në betejë pa kthim!