Gjykata në Ferizaj cakton 40 ditë paraburgim për baronin e drogës, Gëzim Çelën
Është arrestuar në Ferizaj i ashtuquajturi baron i drogës Gëzim Cela, i shumëkërkuar nga drejtësia prej disa vitesh.
55 vjecari është vënë në pranga gjatë operacionit policor Fundi i trishtë që ka aktivizuar policinë e shtetit, atë kosovare dhe agjenci të huaja ligjzbatuese.
Gëzim Cela ishte fshehur në një fshat të Vitisë, në një banesë të ofruar nga një shtetas kosovar. Në momentin e arrestimit ai ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria.
Gjatë kontrollit në banesën ku ai strehohej, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik me 15 fishekë.
Ish punonjësi i policisë ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.
Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.
Ish-punonjësi i policisë i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Europë u shpall në kërkim nga Spak ne Tetor, pasi doli në përgjimet e operacionit “Flakë në Det”.
Gjatë këtij operacioni u arrestua Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit i dyshuar në mbështetje të aktivitetit kriminal të të ashtuquajturit “baroni i drogës”.
Çela ishte i shpallur në kërkim edhe nga Interpol Tirana pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale të trafikut të drogës dhe armëmbajtje pa leje.
Në vitin 2014 gjeti dhe sekuestroi në vilën e tij në Fushë kuqe 207 kilogramë kanabis, 22 kilogramë heroinë, një sasi kokaine si dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme.
55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet heqje lirie për shfrytëzim prostitucioni dhe organizator të migrimit illegal.
Gëzim Çela ka qenë në detyrën e oficerit të Forcave Speciale përpara viteve 1997.
Njoftimi i gjykatës së Ferizaj:
Paraburgim ndaj G.Ç., i kërkuar nga Republika e Shqipërisë në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të veprave penale trafikim me narkotik dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake
Ferizaj, 9 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.Ç., i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar udhe arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vite e nëntë (9) muaj e njëzet e nëntë (29) ditë, për veprat penale të trafikimit me narkotikë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej katër dhjetë (40) ditëve.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.
