Balla inspekton punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe: Koha kur mbetjet hidhen vend e pa vend, ka mbaruar!
IKMT ka nisur shembjen e objekteve për t’i hapur rrugë vijimit të unazës së madhe në tiranë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, së bashku me drejtuesin e ri të IKMT-së Ervin Hoxha inspektuan procesin duke theksuar rëndësinë për lehtësimin e trafikut në kryeqytet.
“Do të çelim një fazë të re të IKMT. Sot jemi për të parë vijimin e një vepre, të Unazës së Madhe, e cila është aorta e qytetit, e që bën një ndryshim të trafikut në qytet”, theksoi Balla.
“Sot fillojmë prishjen e 23 objekteve të para, janë dhe 7 të tjera, 120 në total për tu prishur në gjithë gjurmën e Unazës së Madhe përgjatë dhjetorit”, u shpreh kreu i IKMT-së Ervin Hoxha.
Balla në reagimin e tij kërkoi që të mos tolerohen ndërtime pa leje.
“Qasja e re, me mbështetjen e Policisë së Shtetit ka të bëjë me parandalimin. Edhe mua më vjen keq kur bëhet fjalë për objekte që prishen, por s’do ketë asnjë tolerancë për askënd dhe askund.
Me shefin e Komisariatit, Petritin, para disa ditësh ndërhymë në një prej rezidencave, ku persona të caktuar kishin ndërtuar dhe zgjeruar, a thua janë të pangopur. Ne do të vijojmë të mos lejojmë asnjë lloj shprehje arrogance ndaj qytetarëve të tjerë dhe ndaj ligjit”, u shpreh Taulant Balla.
Inspektorët do të mbahen përgjegjës nëse lejon ndërtimet pa leje, tha Balla.
“Çdo zonë duhet të ketë zonë përgjegjësie, e për çdo ndërtim pa leje të mbahet ai përgjegjës. Do të koordinojmë mes IKMT e PSH e agjencitë e tjera, për të ndërthurur informacioni.
Njerëzit duhet të mësohen të marrin leje. Ne kemi rol për të mbrojtur mjedisin, sepse IKMT nuk prish vetëm ndërtime, por të mbrojë mjedisin, bregdetin. Që prej datës 1 janar do të kontrollojmë se ku i derdhin ujërat e zeza hotelet etj., kjo së bashku me agjencitë e tjera, përgjatë bregdetit duke e ruajtur të pastër këtë fuqi ekonomike që po e transferomini Shqipërinë”, u shpreh ministri Taulant Balla.
Më tej ai kërkoi kontroll të kompanive të ndërtimit, për të mos lejuar hedhjen e mbetjeve jashtë zonave të përcaktuara.



