Garda bëhet "gardh" për opozitën, Nikolla lexim perfekt, PS votim rekord, 8 minuta për Buxhetin, mbyllet seanca

Edhe pse seanca nuk kishte nisur ende, tensione janë regjistruar në brendësi të Kuvendit. Një forcë e shtuar e gardistëve është vënë re ditën e sotme në Kuvend, të cilët janë bërë “gardh” për deputetët e opozitës, të cilët tentuan të grumbullojnë karriget te Foltorja.

Por nuk munguan edhe përplasjet me Gardën. Ka qenë deputeti Ervin Salianji i cili ka hipur sipër tavolinës për të grumbulluar karriget.

Ndërkohë në një moment dëgjohet deputeti Bledion Nallbati që i drejtohet gardës: "Na thyet dyert me karrige".

Kjo situatë në sallën e Kuvendit po ndodh prej javësh, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike vendosin karriget mbi njëra-tjetrën pranë foltores, kanë ndezur flakadanë e zjarr brenda sallës.

Me nisjen e seancës Deputetët e opozitës ndezën flakadanë si edhe hodhën shashka duke sjell një situatë aspak të zakontë.

Ndërkohë në seancën e sotme u votua në një kohë rekord prej 8 minutash nen për nen “Buxheti 2024”, teksa i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit, përjashtoi Asllan Dogjanin, pasi ishte ndër deputetët që hodhi tymuese në seancë.

Kujtojmë se në seancë mungonin ish-kryeministri Sali Berisha i cili u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit për shkak të bllokimit që i bëri parlamentit në seancën e të hënës.

Krahas Berishës janë përjashtuar me 10 ditë dhe deputetët Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi dhe Edi Paloka.