Vlerësimi PISA, Bakiu: Të miratohet amendamenti i PD-së për rritjen e buxhetit për arsimin
Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtare e Kryesisë, Merita Bakiu reagoi sot në një dalje për mediet ndaj rezultateve të vlerësimit PISA për arsimin, duke theksuar se ky vlerësim është një provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie me arsimin e shqiptarëve.
“Janë dëshmi e qartë për nivelin ku e ka çuar keqqeverisja arsimin duke e çuar në nivelet më të ulëta historike. Rezultatet e PISA janë një këmbanë e fortë alarmi për shoqërinë shqiptare dhe një shuplakë e rëndë për Ministrinë e Arsimit që sot duhet të mbajë përgjegjësi për këtë mjerim të arsimit dhe të japë llogari për gjendjen ku ka përfunduar edukimi i fëmijëve tanë”, u shpreh ajo.
Bakiu tha se në testimet e PISA-ës vlerësohen aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në tri fusha- sipas të cilave kemi rezultate më të ulëta krahasuar me 3 vite më parë.
“Partia Demokratike apelon qeverinë shqiptare që të marrë masa urgjente dhe të analizojë këtë rezultat të rëndë duke filluar me buxhetin e shtetit që ka ende kohë të rishikohet pjesa e arsimit. Rritja e financimit të këtij sektori është jetik, ndaj ne si Parti Demokratike, personalisht unë si deputet e Kuvendit të Shqipërisë, kemi depozituar një amendament për rritjen e financimit të arsimit në buxhetin 2024. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale ndaj dhe kemi një renditje kaq të ulët në rezultatet e PISA”, tha Bakiu.
