Zonat e mbrojtura do të rishikohen, Rama: Në ekuilibër me perspektivën ekonomike, e kërkojnë bashkitë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura.
Në fjalën e tij në prezantimin e tre ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, Rama u shpreh se, “sot, ne jemi në një fazë rishikimi të zonave te mbrojtura që vijnë si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por të cilët janë natyrshëm me ambicie dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe social. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri."
Rama theksoi se, “as fantazimi symbyllur i njërës palë për të kundërshtuar çdo gjë dhe as pa diskutim nevoja për të prekur çdo gjë në emër të zhvillimit, nuk duhet të na pengojë që ne të gjejmë një ekuilibër sa më harmonik mes të dyjave, gjë që programi dhe projekti i Vjosës si park kombëtar do të vazhdojë të na udhëheqë dhe cilido që do të jetë përballë nesh për të na treguar sesi mbrohet natyra, sesi duhet të jemi të vetëdijshëm për mbrojtjen e natyrës, sesi nuk duhet të prekim asgjë rreth e rrotull ne do t’i kujtojmë Parkun Kombëtar të Vjosës”.
Rama u shpreh se “ky është nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte. Ashtu sikundër e tha dhe zoti Hardcastle nuk është e rastit që dhe në një forum global si ai në Montreal ku ishin mbledhur shtete shumë më të mëdha me shumë më tepër resurse sesa Shqipëria dhe me shumë më tepër natyrë për të mbrojtur sesa Shqipëria, ky vendim është konsideruar si një vendim realisht i fortë dhe i admirueshëm për këtë”.
Por, shtoi kreu i qeverisë, “të admirosh këtë vendim duke e parë Shqipërinë nga larg dhe duke u kujtuar vetëm për zogjtë, për peshqit dhe për lulet, pa pasur parasysh komunitetet e njerëzve, dhe familje, dhe të reja dhe të rinj që duhet të kenë një perspektivë ekonomike në gjithë atë territor dhe duhet të kenë arsye për ta parë të ardhmen e tyre aty në atë territor është shumë e lehtë. Ndërsa ta shohësh të parën, duke mos harruar kurrë të dytën është një sfidë më vete dhe ne jemi të gatshëm që ta përballim këtë sfidë dhe ndihemi shumë të fortë në përballjen e kësaj sfide sasë nuk jemi vetëm, por kemi një aleat shumë të fuqishëm siç është Patagonia dhe nuk është vetëm Patagonia. Patagonia është si të themi aleati lider në një koalicion aleatësh. Janë institucione, që janë shoqata, që janë grupe dhe organizata mendje hapur, me eksperiencë dhe jo vetëm me dëshirë dhe mbi të gjitha me respekt, me respekt ndaj të gjitha arsyeve tona”.
