Koçiu: Realizohet me sukses ndërhyrja e kompleksitetit të lartë në Spitalin Memorial Fier
Një ndërhyrje e kompleksitetit të lartë është realizuar me sukses nga personeli i Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Memorial Fier, te një vajzë 30 vjeçare që vuante nga çrregullim gjenetik: Trisomia 21.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
“Falë diagnostikimit dhe ndërhyrjes në kohë, pacientja gëzon shëndet të mirë dhe i janë rikthyer muskujt dhe indet e barkut në funksion të plotë”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve kirurgë dhe anestezistë, Dr. Frenki Vila, Dr. Alti Haxhiu, Dr. Andi Gjini, Dr. Mario Shehu si dhepersonelin infermieror që asistuan gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, Xhesika Hoxha, Denisa Maqina.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.
