Tym e flakë edhe sot? Opozita “luftë” për komisionet, kundër emigrantëve. Rama: Kanë agjendë destruktive, do ndryshojmë Rregulloren për “piromanët” në Kuvend

Në orën 10:00 të kësaj të enjteje do të mblidhet Kuvendi. Kjo seancë plenare vjen pas seancës kaotike të së hënës ku salla u pushtua nga tymi dhe flaka e mjeteve piroteknike që prej javësh tashmë përdoren në sallë nga ligjvënësit opozitarë.

Prej javësh në Kuvend nuk po zhvillohen seanca normale plenare për shkak të kaosit që shkaktojnë demokratët e njohur si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe këta të fundit pritet që edhe seancën e sotme plenare ta shoqërojnë sërish me tensione, pasi kanë paralajmëruar kaos dhe jo normalitet, tashmë jo vetëm deri në ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara, por edhe të kundërshtimit të fortë të marrëveshjes së nënshkruar me Italinë për emigrantët e paligjshëm.

Lidhur me këtë të fundit, demokratët e të dy fraksioneve, si ata të PD-së zyrtare ashtu edhe të grupimit të Rithemelimit, kanë depozituar gjatë ditës së djeshme padi respektive në Gjykatën Kushtetuese ku kërkojnë rrëzimin e marrëveshjes Rama – Meloni.

Por, nga ana tjetër PS kërkon të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore.

Drafti i propozuar nga PS, ngushton objektin e komisioneve hetimore, duke thënë se parlamenti mund të hetojë vetëm çështje konkrete ndërsa ndryshime parashikon edhe në thirrjen e dëshmitarëve.

Një vit më parë edhe opozita dorëzoi përmes dy deputetëve Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho dy propozime për Komisionet Hetimore, të cilat sipas rregullave parlamentare, do të duhet të bashkohen dhe të diskutohen së bashku.

Rama: Opozita me agjendë destruktive për të krijuar kaos

Tym e flakë edhe sot? Opozita “luftë” për komisionet,

Por tashmë duket se do të ketë dhe një tjetër nisëm të mazhorancës për të penguar kaosin në Kuvend. Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se opozita ka një agjendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos e konflikt.

I ftuar në një studio televizive, Rama theksoi se maxhoranca nuk mund të zgjidhë dot një situatë e cila krijohet në mënyrë të qëllimshme.

“Janë agjenda totalisht të ndryshme. Nuk bëhet fjalë për programe të ndryshme elektorale, qëndrime të ndryshme për borxhin, qasje të ndryshme për punësimin apo pagat. Por, njëra është një axhendë normale pune qeverisëse, tjetra një axhendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos e konflikt me qëllimin final se do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe një lukuni e madhe luanësh do të përmbysin regjimin me dhunë”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do ishte katastrofë.

“Po flasim për karrige, zjarre. Për momentin kemi vetëm instrumentin e rregullores së Kuvendit që do të duhet ta ndryshojmë. Ka disa propozime nga deputetët për të ndryshuar rregulloren.

Sot për sot përjashtohesh 10 ditë, pas 10 ditësh përsëritet historia. Atje ne thjesht dhe vetëm qëndrojmë në vendet tona për aq sa e kemi të mundur dhe votojmë se nuk mundet të mos votojmë buxhetin, sepse përballë kemi njerëz që ndezin zjarre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mundësitë e maxhorancës janë deri aty ku është korniza kushtetuese.

MË POSHTË RENDI I DITËS PËR SEANCËN E SOTME PLENARE

Dokumenta bashkëngjitur