Pampuri: Keqmenaxhim i fondeve për Bujqësinë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, deputetja Oriola Pampuri komentoi sot në një dalje për mediet pezullimin, sipas saj, të fondeve IPARD në Bujqësi dhe Zhvillim Rural nga zyra kundër mashtrimit ekonomik OLAF në BE.
Sipas Pampurit, që nga viti 2014 dhjetëra e miliona euro çdo vit u janë grabitur fermerëve të ndershëm të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë grant nga fondet e Bashkimit Europian, por kanë shkuar në mënyrë korruptive për një grusht njerëzish të lidhur me interesa politike dhe ekonomike me pushtetarët.
“Ndërkohë nga viti në vit mbështetja buxhetore për Bujqësinë në vend është më pak se sa fondi vjetor i IPARD nga BE, ku për vitin e ardhshëm është 31.7 milionë euro, ose 4.5 herë më pak sesa fondi për kontratat koncesionare e PPP-të korruptive. Së fundmi IPARD nxjerr në pah se 3/4 e të gjitha fondeve të keqmenaxhuara për vitin 2022 për 6 vendet e rajonit dhe Turqinë, ose 33 milionë euro abuzime janë shkaktuar vetëm nga autoritetet shqiptare. Pra më shumë se sa vetë mbështetja buxhetore për Bujqësinë që qeveria shpërndan për një vit për këtë sektor që kontribuon së paku 18-20% të PBB të vendit”, tha ajo.
Pampuri u shpreh se edhe raporti i fundit i BERZH e konfirmon dhe njëherë se Shqipëria ka performancën më të dobët të qeverisjes e cila ka ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e tregut, konkurrencës dhe duke u shndërruar në një model sistemik korrupsioni.
“Ndaj dhe Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar vetingun në politikë ndaj çdo funksionari publik të lartë dhe të zgjedhur për verifikim për lidhje me krimin, korrupsionin dhe përfitimin ekonomik në mënyrë të padrejtë në kurriz të shqiptarëve dhe kundër interesit publik”, përfundoi Pampuri.

