Kualifikimi i kuqezinjve në Kampionatin Evropian, reagime entuziaste nga politika shqiptare

Kombetarja shqiptare është kualifikuar për herë të dytë në një kampionat europian. Pas barazimit me Moldavinë me rezultatin 1-1, Shqipëria u kualifikua në krye të grupit E për në “Euro 2024”.

Pas këtij suksesi, ka reaguar edhe politika shqiptare, me urime për kuqezinjtë të cilët e arrijnë për herë të dytë në histori një sukses të tillë.

Kualifikimi i Shqipërisë në ‘Euro 2024’, Presidenti Begaj: E merituar! Faleminderit për emocionet e dhuruara

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në një reagim në rrjete sociale falënderon Kombëtaren për emocionet e dhuruara, si dhe e ka uruar atë, duke e quajtur kualifikimin si më se të merituar.

“Faleminderit kombëtares për emocionet e dhuruara dhe urime për kualifikimin e merituar në Euro 2024”, shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar rezultatin historik të Kombëtares shqiptare, e cila për të dytën herë është kualifikuar në finalet e një Evropiani.

Për Kryeministrin Rama, ky kualifikim është një dhuratë e bukur për vendin tonë.

“Faleminderit kuqezinjve për këtë dhuratë fantastike. Euro 2024 dhe ëndrra vazhdon”, deklaroi Kryeministri Rama.

Balla: Shqipëria, zyrtarisht në Evropian

Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi Kombëtaren kuqezi të futbollit, duke postuar pamje të magjishme nga atmosfera e krijuar në stadiumin moldav, pasi Shqipëria barazoi për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të futbollit, Gjermani 2024.

“Shqipëria, zyrtarisht në Europian”, shkroi Balla.

Kualifikimi i Shqipërisë në ‘Euro 2024, Basha: Stuhia kuqezi rrugës për Gjermani

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka përshëndetur kualifikimin e Kombëtares së Shqipërisë në futboll, pas barazimit 1-1 me Moldavinë.

“Stuhia kuq e zi rrugës për Gjermani”, shkruan Basha shoqëruar me fotot nga ndeshjet e kombëtares kuqezi.

Shqipëria siguron biletën për në Kampionatin Evropian, Meta: Kualifikim historik!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta një postim në rrjete sociale ka uruar ekipin dhe shqiptarët për kualifikimin, teksa quan kualifikimin si historik që gëzon dhe bën krenar kombin tonë.

“Një kualifikim historik që bën krenar dhe gëzon gjithë kombin shqiptar. Urimet më të përzemërta shqiponjave kuqezi, trajnerit, stafit dhe në veçanti tifozëve të mrekullueshëm për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme në çdo ndeshje.

Jam besimplotë që shkëlqimi dhe entuziazmi i Kuqezinjve tanë do të jetë po aq i jashtëzakonshëm në Kampionatin Europian, kualifikimi në të cilin është plotësisht i merituar”, shprehet Meta.