Forumi i Paqes në Paris: Rama: Do t’i bashkohem udhëheqësve botërorë për të diskutuar për Gazën dhe armëpushimin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me luftën Izrael-Hamas.
Në një deklaratë, në vigjilje të Forumit të Paqes në Paris 2023, Rama bën të ditur se do t’i bashkohet nesër udhëheqësve të tjerë botërorë, në Paris për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza.
“Nesër më datë 10 nëntor, do t’i bashkohem udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza. Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës”, u shpreh Kryeministri Edi Rama në një deklaratë, në vigjilje të Forumit të Paqes në Paris 2023.
Kryeministri ritheksoi se, Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit.
“Megjithatë, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza. Në Paris do të theksoj se është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se të dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu, do të theksoj se ndërkohë që Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë”, shprehet kryeministri.
Në deklaratën e tij, Rama thotë se një ndërprerje e negociuar e armiqësisë aktive është e domosdoshme.
“Në Paris, do t’i kërkoj mikpritësit tonë, presidentit Macron të Francës, mbështetjen e tij për t’u angazhuar me udhëheqës të tjerë për sa më poshtë: në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi. Ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza”, deklaroi Rama.
Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, Rama thotë se nuk mund të ketë të asnjë të ardhme politike për Hamasin.
“Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez. Shqipëria është e gatshme të bashkë-sponsorizojë rezolutën e nevojshme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për sa më lart. Me ndërprerjen e të gjithave luftimeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës”, u shpreh kryeministri.
