BSH: Portofoli i kredisë në lekë u rrit 10% në muajin shtator
Në tremujorin e tretë të këtij viti, ecuria e portofolit të kredisë sipas monedhave tregon për rritje të shpejtë të kredisë në lekë, e cila kulmoi në 10% në muajin shtator.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se paralelisht normat e rritjes së kredisë në valutë u tkurrën ndjeshëm në 2.0%.
“Tremujori i tretë është karakterizuar nga zhvendosja e portofolit drejt kreditimit në lekë, e ndihmuar nga ngushtimi i shpejtë i diferencës midis normave të interesit të kredisë në lekë kundrejt asaj në valutë, si edhe nga mbiçmimi i monedhës vendase ndaj euros. Analiza e detajuar e portofolit të kredisë tregon se kjo zhvendosje ka qenë e pranishme si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe tek individët. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, raporti i kredisë në lekë ndaj totalit u rrit në 55%, duke rezultuar 4 pikë përqindje më e lartë se në fund të vitit 2022”, thekon BSH-ja.
Ndryshe nga bizneset, financimi i bankave për individët ka vijuar me të njëjtat ritme si në pjesën e parë të vitit. Norma vjetore e rritjes së këtij portofoli me 12.5% është pranë mesatares së tremujorit të dytë.
Sipas nënsegmenteve vihet re se kredia konsumatore ka shfaqur përmirësim të rritjes në 10% gjatë këtij tremujori, duke kompensuar ngadalësimin e ritmeve të rritjes së kredisë hipotekare në 13%.
Kjo e fundit është ndikuar edhe nga problemet në sistem që shfaqi kalimi i hipotekave në formë digjitale. Megjithatë, të dhënat nga Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues tregojnë se kërkesa për blerje banese vijon të jetë e lartë dhe bankat kanë lehtësuar disa kushte për këtë segment, në përgjigje të konkurrencës së shtuar.
