Sektori bankar ruan rritjen edhe në tremujorin e tretë, bie pjesa e tregut e bankave të mëdha
Sektori bankar është rritur më tej në tremujorin e tretë të vitit, pavarësisht ngadalësimit të depozitave dhe efektit negativ të kursit të këmbimit.
Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, tregojnë se totali i aktiveve të sektorit në fund të muajit shtator arriti në afërsisht 1.92 trilionë lekë, në rritje me 52 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë. Me bazë vjetore, totali i aktiveve të sektorit është rritur me afërsisht 2.8%.
Rritja e aktiveve krahasuar me një vit më parë është e përqendruar kryesisht në segmentin e investimeve në tituj. Vlera e tyre arriti në 771 miliardë lekë, në rritje me 13% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, vlera neto e portofolit të kredisë ishte rreth 700 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat vlera krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e portofolit të kredisë vlerësohet se është ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.
Mbështetur në të dhënat paraprake të Shoqatës së Bankave, gjatë 12 muajve të fundit është shënuar një rënie e pjesës së tregut të bankave të mëdha dhe rritje e atyre të mesme dhe të vogla.
Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në fund të tremujorit të tretë mbante 24.9% të tregut, nga 26% që zotëronte një vit më parë.
Credins Bank është vetmja mes pesë bankave më të mëdha që ka shënuar një rritje të lehtë të pjesës së tregut në 15.8%, nga 15.7% një vit më parë.
Pjesa e tregut të Raiffeisen Bank Albania ka rënë në 15.3%, nga 15.6% që ishte në fund të tremujorit të tretë 2022.
Edhe Intesa Sanpaolo ka zbritur në 10.4% të aktiveve të tregut, nga 11% një vit më parë.
OTP Albania ka rënë në 9.3%, nga 10.4% që ishte një vit më parë pjesa e përbashkët e tregut me Alpha Bank (bashkimi mes tyre u krye më datë 1 dhjetor).
Pjesa e përbashkët e tregut e pesë bankave më të mëdha ka rënë në 75.7%, nga 78.7% që ishte një vit më parë.
Sidoqoftë, kjo rënie e peshës së bankave më të mëdha mund të shpjegohet në një masë të madhe me një efekt më të fortë të kursit të këmbimit, për shkak të volumit më të madh të aktiveve në valutë të huaj.
Nga ana tjetër, bankat e tjera të sektorit në përgjithësi kanë shënua rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Banka Amerikane e Investimeve zotëron tashmë 6.9% të tregut (nga 5.4% një vit më parë), Tirana Bank është rritur në 6.6% (nga 6% një vit më parë), Union Bank është rritur në 4.9% (nga 4.7% një vit më parë), Banka e Parë e Investimeve (Fibank) është rritur në 2.7% (nga 2.4% një vit më parë) dhe ProCredit Bank Shqipëri ka arritur në 2.3% të tregut, nga 2.1% një vit më parë. Banka e Bashkuar e Shqipërisë ngelet në nivelin 0.7%, po aq sa vitin e kaluar.
Procesi i konsolidimit të sektorit bankar që nisi në vitin 2015 ka prodhuar një numër bankash të mesme më aktive dhe më konkurruese, duke sjellë gradualisht një rritje të pjesës së tyre të tregut./ MONITOR




