Prezantohet strategjia me BB, Sejko: Ndryshimet klimatike, presion edhe në stabilitetin financiar
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore organizuan sot në Tiranë, forumin e nivelit të lartë me temë “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu mirënjohjen ndaj Bankës Botërore për mbështetjen e pandërprerë, në krijimin dhe zhvillimin e partneritetit me BSH-në, në avancimin drejt financave të gjelbra.
Sejko tha se, pjesëmarrja e përfaqësuesve ndërkombëtarë të niveli të lartë në këtë takim, dëshmon rëndësinë e temave që do të diskutohen dhe sfidat madhore që sjell e ardhmja dhe ndryshimi klimatik.
“Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një kërcënim të largët, por janë realiteti ynë i tanishëm, i shprehur nëpërmjet ngjarjeve të paparashikuara të motit, në rritjen e impaktit negativ në bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë. Si pasojë, ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare. Është më se e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida. Ndërsa synojmë t’i bëjmë aktivitetet tona të qëndrueshme dhe të mbrojmë stabilitetin financiar, ne nuk duhet dhe nuk mund të neglizhojmë praninë e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Sektori bankar, si gur themeli i ekonomisë sonë, duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj forcës të paparashikuar të fenomeneve klimatike”, u shpreh Sejko.
Guvernatori tha se, “financat e qëndrueshme nuk janë zgjedhje, por detyrim”.
“Sistemi ynë bankar – i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid – ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Në këtë konteks për të vazhduar rrugën e rritjes së qëndrueshme, bankat tona duhet të menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën dhe të realizojnë investime që përputhen me përgjegjësinë mjedisore për të ruajtur ekosistemet dhe mjedisin”, tha Sejko.
Në punimet këtij forumi, BSH dhe BB shpallën sot “Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, një dokument strategjik që paraqet masa konkrete për përgatitjen ndaj sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që krijon menaxhimi i rreziqeve klimatike.
“Banka e Shqipërisë është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për të udhëhequr avancimin drejt financave të gjelbra, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm”, u shpreh Guvernatori.
Sejko inkurajoi punimet e forumit në zhvillimin e diskutimeve sa më produktive dhe frytdhënëse, që nxisin mendime dhe zgjidhje sa më kreative ndaj sfidave klimatike me të cilat përballet sistemi ynë.
Nga ana tjeter lidhur me këto sektorë, drejtori i Bankës Botërore Emanuel Salinas nënvizoi se Shqipëria duhet të rrisë investimet për përballimin me rreziqet.
Në përfundim të dyja palët i bënë thirrje bankave që të menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën dhe të realizojnë investime mjedisore për të ruajtur ekosistemet dhe burime të tjera jetësore.


