Balluku: 52.7 miliardë lekë në buxhetin 2024, programi i transportit rrugor peshë kryesore
Buxheti i vitit 2024 mbështet me më shumë fonde sektorët prioritarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku përfshihen projekte të rëndësishme rrugore, portuale, hekurudhore, në ujësjellës kanalizime dhe energjetikë, me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, “projektbuxheti i vitit 2024 mbështet 11 sektorë prioritarë të ekonomisë së vendit.
Ai adreson një fond prej 52.7 miliardë lekë, nga të cilat 47.4 miliardë lekë janë shpenzime kapitale”.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Balluku tha se, “programi për Transportin Rrugor është një nga prioritetet e qeverisë për periudhën 2024-2026”.
Sipas saj, buxheti 2023 për programin e investimeve në infrastrukturën rrugore, adreson një fond prej 23.18 miliardë lekë, transporti detar 8.8 miliardë lekë; transporti hekurudhor 4.27 miliardë lekë; transporti ajror 27 milionë lekë; furnizimi me ujë dhe kanalizime 11.54 miliardë lekë; mbështetje për energjinë 3.2 miliardë lekë; mbështetje për burimet natyrore 390 milionë lekë; mbështetje për industrinë 413.6 milionë lekë; planifikimi urban 996 .2 milionë lekë; mbështetje për telekomunikacionin 120 milionë lekë: planifikim dhe menaxhim 553.9 milionë lekë.
Ministrja theksoi se, programi i transportit rrugor zë peshën kryesore ku krahas projekteve që po zhvillohen po punohet për hapjen e projekteve të reja.
Ajo përmendi se në këtë program “prioritet është moskrijimi i detyrimeve të prapambetura në investime si kërkesë permanente e FMN-së që po kryejmë me sukses.
Ndërkohë në këtë program projekte me PPP janë të buxhetuara në vlerën 5.2 miliardë lekë ose 33 e buxhetit me financim të brendshëm, ku përfshihet projekti koncesionar për mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”.
“Parashikohet që ky projekt të përfundojë plotësisht në 2025 dhe kjo është për shkak të kompleksitetit gjeologjik që kemi hasur në tunelin e Murrizit, për të cilin kemi marrë vendimin për shtyrjen e afatit të punimeve”, vijoi Balluku.
Balluku theksoi se MIE, gjatë shtyrjes kohore nuk ka shtuar asnjë kosto financiare.
Një tjetër koncesion është mirëmbajtja e rrugës Milot – Morinë.
Ndërtimi i urës mbi lumin Drin do të përfundojë në qershor 2024, sipas marrëveshjes dhe financimi do të vijojë deri në 2032.
Koncesion tjetër është rruga Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat, ndërtimi i saj ka nisur në 2021 dhe parashikohet të jetë gati sezonin e ardhshëm veror.
Mbështetja buxhetore për këtë vepër do të vijoj deri në vitin 2032, sipas marrëveshjes.
Tuneli i Llogorasë buxhetohet me 7.2 miliardë lekë, 40% nga buxheti i shtetit dhe pritet të përfundojë në qershor të vitit 2024. Deri tani janë kryer 70% e volumit të punimeve në këtë vepër.
Balluku tha se, sa i përket transportit hekurudhor, ky program ka për qëllim zhvillimin e investimeve për integrimin rajonal dhe europian.
“Në projektligjin e buxhetit të vitit 2024, mbështetja buxhetore e programit është 4.27 miliardë lekë me një pakësim të 17 milionë lekëve krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2023.
Në projektligjin e buxhetit të 2024 parashikohet një rritje në tavan të shpenzimeve koherente me 9.9 milionë lekë, krahasuar me buxhetin e vitit 2023“, u shpreh Balluku.
