Gazheli: Doganat porta e parë e integrimit evropian, prioritet harmonizimi i procedurave
Në Tiranë nisi sot punimet dyditore konferenca rajonale për lehtësimin e tregtisë “Fillimi i Partneriteteve Bashkëpunuese në Epokën Digjitale”, organizuar nga Administrata Doganore Shqiptare me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe në bashkëpunim me GIZ.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli në fjalën e tij, bëri të ditur se doganat janë porta e parë në procesin e integrimit evropian dhe për këtë arsye harmonizimi procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët evropian merr rëndësi prioritare.
“Fokusi për politikbërësit dhe agjencitë ligjzbatuese është se si të ndërtojmë një ekonomi kombëtare pro tregtisë dhe konkurruese ndërkohë që mbajmë ekuilibrin e duhur mes mbledhjes së të ardhurave dhe kontrollit në kufi nëpërmjet sigurimit të një ambjenti pro tregtisë dhe procedura transparente dhe rritjen e bashkëpunimit me agjencitë e tjera publike (Policia, AKU, Fitosanitare), sektorin privat, administratat doganore të rajonit dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë doganave në vendet kufitare të BE-së si Italia, Greqia dhe të rajonit si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut”, u shpreh Gazheli.
Sipas tij, harmonizimi procedurave doganore, edhe me mbështetjen e CEFTA/BE, GIZ, Bankës Botërore, HRMC etj. ka mundësuar përmirësime të dukshme në bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet administrative doganore dhe me autoritetet e tjera ligjzbatuese.
“Është e sigurt që lehtësimi i aktiviteteve të tregtisë ka një impakt pozitiv për ekonominë kur procedurat zbatohen me eficencë dhe efikasitet. Lehtësimi i procedurave doganore për importet, eksportet dhe transitet e mallrave ka përfitime disaplanëshe për rritjen e volumeve tregtare ndërkohë që redukton burokracinë e tepruar dhe vonesat e kushtueshme për biznesin si dhe kostot administrative në kufi. Shembulli i “One Stop Shop” mes Shqipërisë dhe Kosovës, Malit të Zi dhe në korrik 2023 edhe me Maqedoninë e Veriut, janë ilustrimet konkrete se si kontrollet doganore, policore, kontrollit të ushqimit dhe ato kërkesave fitosanitare, kanë përgjysmuar kohën dhe kanë ulur kostot për tregtisë mes vendeve të rajonit”, tha ai.
Ai informoi se nga qershori i vitit 2022 Shqipëria i ka bërë zero tarifat për kryerjen e shërbimeve që administrohen nga autoritetet doganore për operatorët ekonomikë me mallrat me origjinë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Gjithashtu, Gazheli vuri në dukje se konferenca është një mundësi për të nxitur biznesin të aplikojë për të përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, që do t’u siguronte më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit, trajtim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor, akses i thjeshtuar apo ekskluziv për disa thjeshtime doganore, reduktim i nivelit të garancisë, tjeshtime në transit dhe për njohje të përbashkët të AEO.


