KPK e konfirmoi në detyrë, ONM: Të rishihet vendimi për prokuroren Salavaçi

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon nga Komisioneri Publik që të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili konfirmoi në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Tiranës, Suela Salavaçi.

Komisioneri Publik përmes një njoftimi për mediat bëri të ditur se, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin e KPK për prokuroren Salavaçi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Në datën 28.9.2023, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Suela Salavaçi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Vendimi nr. i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 8.11.2023.

Po sot, më datë 8.11.2023, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, njofton zyra e shtypit e Komisionerit Publik.

“Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, njofton Komisioneri Publik.

Komisioneri Publik sqaron se ky institucion ka kohë deri në 15 ditë për shqyrtuar propozimin  e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit dhe për të depozituar eventualisht ankimimin pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në dokumentin e depozituar nga ONM pranë Komisionerit Publik kërkohet rivlerësimi i kriterit të pasurisë së prokurores Salavaçi.

Një kriter i evidentuar dhe debatuar edhe gjatë diskutimeve në Komisionin e Pavarur të kualifikimit. Dokumenti: Rekomandim-për-vendimin-e-KPK-së-nr.703-datë-28.9.2023

Suela Salavaçi, prokurore në Prokurorinë e Tiranës u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 28/09/2023.

Trupi gjykues i kryesuar nga Alma Faskaj, Suela Zhegu relatorë dhe Etleda Çiftja anëtare, në fund të shqyrtimit të dokumentacionit në ngarkim të prokurores Salavaçi, vendosën konfirmim në detyrë të saj.

Por pavarësisht nga konfirmimi në detyrë, KPK mori vendimin që një prej pikave të diskutuara në seancën publike të 26 shtatorit, kur dhe u shqyrtua dokumentacioni i përgatitur për prokuroren e Tiranës, ti dërgohet për verifikim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në seancën e 26 shtatorit, togat e zeza vlerësuan pozitivisht kriterin e pastërtisë së figurës, teksa kërkuan shpjegime mbi kriterin profesional dhe atë të pasurisë.

Te kriteri i pasurisë trupa gjykuese u ndal më së shumti, ku Salavaçi për rreth tri orë u desh të shpjegonte pozicionin e saj për të rrëzuar disa nga gjetjet të publikuara në dokumentacionin e saj mbi pasurinë e akumuluar prej prokurores dhe familjes së saj.