Ndërtimi i “RP Moglica”, Muçaj: Shton kapacitetet e ruajtjes së energjisë në vend
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi marrëveshjen që i hap rrugën shoqërive “Statkraft AS” dhe “Devoll Hydropower” të ndërtojnë impiantin “RP Moglica shtesë”, i cili parashikohet të ofrojë një përdorim më të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll, duke shtuar kapacitetin ruajtës së energjisë në vend.
“Ndërtimi i impiantit me sistemin e rezervës së pompuar, nëse studimet dhe kushtet e tregut do ta mbështesin, do të ofrojë një përdorim më të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll dhe duke shtuar kapacitetin ruajtës së energjisë në vend”, tha zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.
Në këtë shtesë kontrate, përshkruhen të drejtat dhe detyrimet e palëve lidhur me ndërtimin nga ana e koncesionarit të “RP Moglica shtesë” si dhe është përfshirë një parashikim lidhur me dorëzimin dhe pronësinë e linjave të transmetimit të ndërtuara nga koncesionari dhe të dorëzuara më pas OST, sh.a.
“Koncesionari do të jetë përgjegjës për ndërtimin e linjave të transmetimit me shpenzimet e tij. OST ruan të drejtën e pronësisë mbi linjat e transmetimit. OST-ja është përgjegjëse për kostot e mirëmbajtjes së linjave të transmetimit, duke filluar nga data e dorëzimit të tyre. Rregullat e mësipërme kanë përparësi ndaj dispozitave të çdo marrëveshjeje për lidhjen dhe ndërtimin e një shtese në rrjetin e transmetimit, që është nënshkruar apo do të nënshkruhet ndërmjet koncesionarit dhe OST-së, dhe gjejnë zbatim për të gjitha linjat e transmetimit”, tha relatorja e pp/ligjit Blerina Gjylameti.
Ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, autoritet kontraktues dhe EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, (bashkëkoncesionarë), është lidhur kontrata e koncesionit, për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, datë 23 shkurt 2009.
Në zbatim të kontratës së koncesionit, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, janë angazhuar për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin tek autoriteti kontraktues të projektit të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, konkretisht HEC Banjë, HEC Moglicë dhe hec Kokël.
HEC-et Banjë dhe Moglicë tashmë janë në prodhim, ndërsa sipas shtesës së 3-të e kontratës së koncesionit, miratuar në 2015-ën, koncesionarit i është dhënë e drejta të vendosë sipas diskrecionit të tij të plotë, brenda një afati prej 10 vitesh nga përfundimi i HEC-it Moglicë, nëse do të ndërtojë HEC-in Kokël (HEC-i i mesit në kaskadën e lumit Devoll).
Me përfundimin e punimeve dhe vënien në punë të HEC-it Moglicë, shoqëria “Devoll Hydropower”, ka kryer disa studime paraprake dhe ka vlerësuar si alternativë tjetër për optimizimin e mëtejshëm të përdorimit të potencialit hidrologjik të lumit Devoll dhe HEC-eve të ndërtuara tashmë në të, nëpërmjet ndërtimit të një ujëmbledhësi me stacion pompimi, në pjesën e sipërme të lumit Devoll (“RP Moglica Shtese”).
Në vijim, autoriteti kontraktues dhe bashkëkoncesionarët Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, kanë dakordësuar për shtesën e 4-rt të kontratës së koncesionit, e cila është e nevojshme për vijimin nga ana e shoqërive të studimeve të mëtejshme në terren dhe për vlerësimin e fisibilitetit të propozimit.
“RP Moglica shtesë” është një hidrocentral me sistemin e rezervës së pompuar që do të ndërtohet pranë hidrocentralit Moglicë dhe i lidhur me rezervuarin Moglicë në Luginën e lumit Devoll, duke përfshirë të gjitha punët civile dhe të gjitha instalimet elektromekanike, përfshirë por pa u kufizuar në turbinat, gjeneratorët, pajisjet ndihmëse të stacionit elektrik, transformatorët, pajisjen e zonës së pajisjeve elektrike dhe linjën e transmetimit në pikën e livrimit me sistemin e transmetimit të energjisë elektrike.



