Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen për pjesëmarrjen në programin “Evropa dixhitale”
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit “Evropa dixhitale” (2021-2027)”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj e pranishme në komision, bëri të ditur se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do bëhet e mundur pjesëmarrja e Shqipërisë në programin e Bashkimit “Evropa Dixhitale” (2021 – 2027).
Sipas saj, programi i Evropës Digjitale (2021 – 2027) është një program i ri, i krijuar dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim që të bëhet i mundur transformimi dixhital, rritja e përdorimit të teknologjive dixhitale për bizneset, qytetarët dhe administratat publike.
Ky program është krijuar me rregulloren (BE) 2021/694, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 29 prill 2021.
“Përmes pjesëmarrjes në këtë program do të forcohet, do të zhvillohet dhe do të zgjerohet më tej marrëdhënia dhe bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria mund ta zbatojnë këtë marrëveshje në përputhje me procedurat dhe legjislacionin e tyre të brendshëm përkatës”, tha zv/ministrja Muçaj.
Muçaj bëri të ditur se nga ky program për të cilin Shqipëria mori ftesë në qershor të vitit 2022
Sipas marrëveshjes, parashikohet që Shqipëria të marrë pjesë si një vend i asociuar dhe do të kontribuojë në katër objektiva specifikë të programit të Evropës Dixhitale; objektivi 1 që ka të bëjë me përpunimin kompjuterik me performancë të lartë; objektivi 2 që ka të bëjë me inteligjencën artificiale, të dhënat dhe cloud; objektivi 4 që ka të bëjë me aftësitë digjitale të avancuara; dhe objektivi 5 që lidhet me përshpejtimin e përdorimit sa më të mirë të teknologjive digjitale.
Objektivi i tretë i programit të Evropës Dixhitale, i lidhur me sigurinë kibernetike dhe besimin, nuk është ende i hapur për pjesëmarrje jashtë vendeve të BE-së.
“Paraqesim këtë marrëveshje si një dritare të mbështetjes me një vlerë prej më shumë se 7 miliardë euro për të gjithë ato subjekte private, publike, ente dhe qytetar që do të donin të kishin mbështetje për këto 4 objektiva”, tha ajo.
Muçaj më tej theksoi se pjesëmarrja në këtë program shërben si bazë e transformimit dixhital të ekonomisë dhe shoqërisë sonë duke kontribuuar direkt në zhvillimin ekonomik, vende të reja pune dhe kalimin në stade të tjera të industrisë.
“Kontributi i qeverisë shqiptare do të jetë 270-300 mijë euro në vit në mënyrë që të mundësojë që dera të hapet për të gjitha subjektet që mund të konkurrojnë në barazi me subjektet e tjera europiane për të përfituar mbështetje të drejtpërdrejt”, u shpreh ajo.



