A ka marrë Ilir Meta fletëthirrje nga SPAK? Kreu i PL-së: S'përbën lajm kjo! Rama ka bërë ligje me porosi si me incineratorët
I pyetur nëse ka një fletëthirrje për në SPAK lidhur me çështjen ÇEZ-DIA-s apo për çështjen austriake, Ilir Meta e ka mohuar.
Para gazetarëve sot, kreu i PL ka deklaruar se ka asnjë fletëthirrje për këtë çështje, por se ka shkuar në SPAK për të bërë denoncime.
“Këto janë lajme tërësisht banale. Pse janë banale? Se janë pa përmbajtje, pa materie janë tema të lodhura. Nuk përbën asnjë lajm që Ilir Meta të shkojë te SPAK apo në prokurori.
Se ky është dallim i fortë i Ilir Metës me Edi Ramën apo cilindo tjetër. Kam qenë në SPAK si kallëzues, me letra dhe fakte.
Kurrë nuk janë hapur shumë prej atyre çështjeve. Do të shkoj kudo ku do të më thërrasin. Nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia, apo aktivitetit im si politikan dhe qytetar.
Nuk ka asnjë akt të nënshkruar nga Meta ‘fet e fët’. Mbetëm në mbrojtje të ligjit dhe kushtetutës. Ekziston një çështje ‘Meta për Edi Ramën, model i transparencës që Meta ka ndjekur gjithmonë.”, theksoi Ilir Meta.
INCINERATORI I TIRANES
Kreu i Partisë së Lirisë, reagoi sot edhe për inceneratorin e Tiranës, ndërsa sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama. Ai tha se vetëm dje u morën 800 mijë euro për inceneratorin e Tiranës.
“Inceneratori i Tiranës vazhdon merr miliona euro nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Dje mori edhe 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për tre inceneratorët. Inceneratori i Tiranës dëshmia pse Shqipëria thellohet në gropën e korrupsionit.
Shqipëria për fat të keq, vazhdon rrëshqitjen e rrezikshme drejt paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit. Pranë nesh kemi një shembull shumë pozitiv, Kosova, që renditet e para në rajon në luftën kundër korruptonit. Parlamenti është kapur për fyti nga Rama dhe shndërrimi në një zyrë që miraton ligje me porosi vetëm për të vjedhur.
Parlamenti është kapur për fyti nga Kryeministri me qëllimin e vetëm bllokimin e llogaridhënies dhe shndërrimin e Parlamentit në një zyrë të qeverisë, i cili miraton ligje me porosi.
Bllokimi i të gjitha komisioneve hetimore, për koncesionet, për rrëmbimin e të dhënave të TIMS, çështjen McGonigal, etj., është dëshmi e pakundërshtueshme e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari në Parlament.
Përjashtimi në vazhdimësi i deputetëve të opozitës, dhe së fundmi i 23 deputetëve të saj është një mjet agresioni i hapur ndaj opozitës që të ajo të asgjësohet në funksionin e saj dhe të vërtetat e mëdha të korrupsionit të qeverisë të mos njihen nga shqiptarët.
Dhunimi i shfrenuar i funksionimit të Parlamentit ka arritur deri aty, sa ti imponojnë opozitës edhe anëtarët e komisioneve parlamentare. Siç është rasti i Komisionit të Reformës zgjedhore, me qëllimin e vetëm, për të bërë një pseudo reformë që legjitimion manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve.
Edhe kur opozita propozon nisma ligjore për qytetarët, ato shqyrtohen me shumë vonesë. Bllokimi i projektligjeve të opozitës, të cilat janë vetëm në interes të qytetarëve, është një mjet tjetër presioni ndaj opozitës në Parlament.
Dje, në mënyrë flagrante vetëm pas 20 muajsh u diskutua dhe NUK u pranua nga mazhoranca propozimi i Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve.
Ndërkohë mbeten pa u shqyrtuar dhe dhjetëra ligje të tjera që Partia e Lirisë dhe opozita në tërësi kanë propozuar në Parlament.
Jemi në kushtet e një konfrontimi të hapur midis qëndrimit demokratik që ka opozita dhe regjimit të Edi Ramës.
Edi Rama dhe qeveria duan një Shqipëri pa opozitë, që të vënë në zbatim të pa penguar, planet e tyre korruptive për interesat e veta, dhe të grupimeve financiare, mafioze që përfaqësojnë, ndërsa opozita punon për një qeverisje demokratike, ku funksionon llogaridhënia dhe transparenca ndaj qytetarëve, ku funksionon shteti i së drejtës dhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, dhe asnjë nuk gëzon privilegjin e pandëshkueshmërisë, ashtu siç po ndodh sot për fat të keq për shkak të kapjes të drejtësisë nga qeveria”, tha Meta.




