Salla e Kuvendit si sallë ringu, Xhaferaj: Dhuna ishte pasoja, jo shkaku. Do ketë radikalizim deri në grevë urie të deputetëve të opozitës
Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të grupimit të Rithemelimit, Besart Xhaferaj, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” tregoi shkaqet e dhunës dje në Parlament nga deputetët e opozitës.
Xhaferaj theksoi se do të ketë përshkallëzim të aksionit politik ku la si mundësi edhe alternativën e grevës së urisë.
“Ka 2 vite që në këtë vend nuk ka jetë parlamentare normale. Edhe dje e patë se çfarë paçavure u bë, iu dha fjala çdo lloj deputeti duke mos respektuar as Rregiullores.
Dhe kur vijmë këtu në këto lloj shkaqesh, vjen pastaj dhe pasoja, që është dhe një përleshje fizike që nuk ke çfarë të bësh.
Kjo mund të jetë vetëm hapi i parë dhe mendoj që do të radikalizohet edhe më tepër. Pasi patjetër, që seanca parlamentare normale më nuk ka, të gjitha do të bllokohen dhe në fund besoj se do të shkohet në futje në grevë urie të të gjithë deputetëve të opozitës”, u shpreh ndër të tjera, kreu i FRPD-së, Besart Xhaferaj.

