Pika e kompostimit në Cërrik, Rama: Ulet me 25% sasia e mbetjeve
Në bashkinë e Cërrikut po bëhet një punë e mirë në pikën e kompostimit të mbetjeve të gjelbra.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna që bëhet në këtë pikë, ku mbetjet transformohen në pleh organik.
“Një tjetër punë e mirë po bëhet në Bashkinë Cërrik, në pikën e kompostimit të mbetjeve të gjelbra për çdo serë, fermë apo ambient tjetër bujqësor, duke e mbajtur pastër qytetin dhe duke ulur sasinë e mbetjeve me 25% të totalit”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “pika e kompostimit të mbetjeve të gjelbra në Cërrik bën të mundur që riciklimi dhe riadministrimi i mbetjeve urbane të kthehen në një pasuri dhe jo në një problem për komunitetin, pasi më parë hidheshin në shtretërit e lumenjve duke u bërë shkak për përmbytje”.
Në disa qytete të vendit kanë nisur funksionimin qendrat e kompostimit të mbetjeve të gjelbra. Tashmë mbetjet e gjelbra nuk mbeten më si papastërti rrugëve, po kthehen në pleh organik duke rritur cilësinë e prodhimeve të fushës, ulur kostot e grumbullimit dhe volumin e mbetjeve të depozituara në pikën fundore, si edhe krijuar të ardhura shtesë për bashkinë.
Këtë vit qeveria nis një program të madh të ekonomisë qarkulluese, ku në të njëjtën kohë do të bëhen investime për gjithë sistemin e integruar të menaxhimit të mbetjeve, por dhe nxitjen e stacioneve të riciklimit dhe ato të kompostimit.
