Zbulimi në Durrës, zbulohet një furrë qeramike që i përket antikitetit të vonë
Nga nëntoka e Durrësit ka dalë në dritë nje furrë qeramike në formën e një planimetrie rrethore që besohet se i përket antikitetit të vonë.
Kjo është furra qeramike e cila është zbuluar gjatë gërmimeve në amfiteatrin e Durrësit nga ekspedita e arkeologëve italio-shqiptare.
Arkeologia shqiptare Elvana Metalla tha se zbulimi është bërë në pjesën jug-perëndimore të galerisë, ndërsa punimet vazhdojnë të thellohen për zbulimin e plotë.
Puna e arkeologëve pritet të zgjasë deri në fund të muajit tetor në bashkëpunim me grupin italian të cilët vizitojnë dhe kryejnë ekspedita të rregullta në rrethimin e Amfiteatrit të qytetit të Durrësit prej vitesh.
Kujtojmë se gjatë këtij muaji, një tjetër mozaik që i përket periudhës romake, u zbulua gjatë hapjes së themeleve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” ne lagjen nr 1 të qytetit bregdetar.
