"Dosja "Partizani", Berisha: Larot e SKAP-it s’kanë asnjë provë, dosja një kosh mbeturinash. Privatizimin e nisi Nano
Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar “kosh mbeturinash” dosjen e SPAK në lidhje me akuzat ndaj tij dhe Malltezit duke thënë se ky i fundit është arrestuar vetëm se është dhëndri i tij.
Berisha shprehet se ka një mori shpifjesh në këtë dosje të hapur pas kallëzimit politik nga Balla.
“Edvini dhe larot e tij nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë fakt që fakton se është shkelur ndonjë rregull gjatë procedurave të privatizimit të ish-klubit partizani.
Së dyti, pas tre vitesh hetime nuk kanë gjetur asnjë provë të vetme, që toka e kthyer nuk ka qenë trashëgimi e familjarëve, përveç pishinës, që ka qenë pjesë e klubit Partizani që ka qëenë detyrim ligjor për t’u privatizuar”, tha Berisha.
Reagimi i Berishës
Pasi u njoha me dokumentin paçavure të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, deklaroj me përgjegjësi të plotë, para shqiptarëve se kemi të bëjmë me një dacibao, fletërrufe për ata që nuk e dinë se çfarë janë, që në çdo paragraf shpreh dufet dhe urrejtjet e përroit psikik të Edi Ramës, ligësinë e tij shpirtëore dhe të skapistëve që ndajnë të njëjtin moral me të.
Ajo është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im.
Në këtë rast deklaroj se cilido që lexon paçavuren dacibao të Ramës dhe skapistëve të tij, vetiu arrin në këto konkluzione.
Në privatizimin e kompleksit të klubit Partizani, në zinxhirin e pafundëm të shpifjeve, pas tre vitesh të bazuar në kallëzimin e rremë politik, Edvini dhe larot e tij, nuk janë në gjendje të japin as dhe një provë, fakt apo dokument të vetëm se në procedurat e privatizimit të klubit Partizani është shkelur ndonjë ligj, normë apo praktikë ligjore e këtij vendi.
Së dyti, në dacibaon e tyre, Edvini dhe larot e tij skapiste, pas tre e më shumë vitesh hetime, në qindra e qindra dokumente, nuk kanë gjetur qoftë dhe një të vetëm se toka e kthyer 64 pronarëve të pesë familjeve fisnike të Tiranës, njëri prej tyre është Abi Malltezi, nuk ka qenë trashëgimi e tyre në breza, përveç pishinës, e cil ka qenë pjesë e klubit të Partizanit dhe ka qenë detyrim ligjor për t’u privatizuar dhe copëzat përreth të pronës, që detyron çdo pronar t’i blejë me çmim tregu.
Së treti, në hetimin e tyre policesk 3-vjeçar, Edvini dhe larot e tij skapistë, në dhjetëra e dhjetëra dëshmi të ish-punonjësve publikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë, nuk kanë gjetur edhe pas 15 vitesh të përfundimit të saj, qoftë dhe një person të vetëm që të pohojë se kemi pasur ndërhyrjen më të vogël nga Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi për këtë vendimmarrje.
Ndjesë se harrova, në dacibaon e tyre, Edvini dhe skapistët e tij, kanë sjellë një dëshmi për Malltezin atë të një personi që thotë se më ofruan një apartament, por nuk mbaj mend se kush ma ofroi.
Së katërti, cilido që lexon paçavuren e Edvinit dhe larove të tij skapistë, konstaton se klubi Partizani nuk ishte hequr nga Sali Berisha me asnjë vendim apo propozim të tij, nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura. Ai, bazuar në dokumente zyrtare të firmosura nga komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosur, ky klub nuk ishte në listën e planit të hapjes së ushtrisë.
Së pesti, procesi i privatizimit të klubit Partizani nuk është nisur nga Sali Berisha, por është nisur nga Fatos Nano, mirëpo Edi Rama dhe larot e tij skapistë i fshehin këto dokumente dhe këtë fakt.
Së gjashti, destinacioni i klubit Partizani nuk e ka ndryshuar Sali Berisha, por Edi Rama, madje edhe dy vite përpara se të përfundonte procesi i privatizimit, për arsye se sipas një dokumenti që mban firmën e tij, ky klub kishte humbur funksionin e tij. SKAP dhe Edi Rama i fshehin këto dokumente.
Së shtati, pas tre viteve hetime policeske të Edvinit dhe larove të tij skapistë, të bazuara në kallëzim të rremë, duke mos gjetur asnjë provë reale për të ngritur akuzë zyrtare penale ndaj meje dhe dhëndrit tim, përfundoi në mjerimin dhe vetëposhtërimin e tyre duke vendosur masa sigurie dhe arrestim person në hetim për dyshime, pasi kanë mashtruar në mënyrë groteske, kanë fshehur dhe manipuluar në amoralitet të plotë dhe pafytyrësi qindra dokumente.
Në dacibaon e tyre, Edvini dhe laro shkruajnë si fakt kundër meje, se procesi i kthimit të pronave të klubit Partizani ka filluar në vitin 2007.
Ky është një mashtrim publik që përbën vepër penale se bazohet në fshehje të dhjetëra dhe qindra dokumenteve zyrtare të organeve shtetërore, përfshi këtu vendimet e gjykatës.
Këto dokumente faktojnë se procesi i kthimit të pronave ka filluar në vitin 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005.
Po kështu, kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës këtyre familjeve, ka filluar në vitin 1995 dhe ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës, një pjesë të pronave të tyre dhe ka vazhduar në vite deri në vitin 2009 me privatizimin.
Në amoralitet të plotë politik, Edvini dhe larot e tij skapistë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se reformën e pronësisë dhe reforma të tjera themelore të programit të PD, amendimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, përdorimin e letrave me vlerë, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili, e vërteta është se nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon.
Sipas tyre, për këtë qëllim, unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me një vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve, për të kërkuar pronat e tyre.
Këtu mund të përdorja çdo epitet, por po i pyes këta me nder ish-zyrtarë: po Fatos Nano, që para meje kishte zgjatur me dy vite, afatin në këtë ligj, për pronarët, për dorëzimin e dokumenteve të tyre, e bëri këtë për dhëndrin tim? Sharlatanë mjeranë, jeni turpi i ligjit dhe keni moralin e Edvinit.
Ligji 9533, 17.7.2006, nuk kishte për qëllim vetëm shtyrjen e afateve, por solli shumë risi të tjera në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Në parim ai ligj synonte të mbronte interesat e shtetit, por synonte njëlloj mbrojtjen e pronësisë private të subjekteve të shpronësuara.
Kështu, u vendos që të mos hetoheshin kërkesa bazuar vetëm në vendime gjyqësore, por të përdoreshin dokumente të gjera për të vërtetuar saktësisht pronësinë dhe origjinën e saj.
Në lidhje me shtyrjen e afatit të pranimit, e kemi bërë këtë sepse kishte shumë pronarë që nuk kishin plotësuar dokumentet. Kjo është bërë edhe në vitin 2008. Një praktikë rutinë pothuaj.
Në këtë reformë u parashikua edhe e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, por në çdo rast, për rivendosjen e të drejtës për të kërkuar rivendosjen në afat të të drejtës së pronësisë. Pra,nëse administrata brutalisht ia mohonte atij se iku afati, qytetari shkonte në gjykatë dhe vendoste afatin.
Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, solli ndryshimin e të drejtës së kompensimit dhe për vendimet e mëparshme të ndërmarra nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave me ligjet e vjetra, të shfuqizuara të marra bazuar vetëm në një vendim gjyqësor.
Ky kompensim sipas ligjit të ri do bëhej bazuar në dokumentacionin e parashikuar në ligjin 9533, pra nuk lejohej kompensim për vendime të marra me vendime gjyqësore. Fakti është se pati edhe abuzime.
Kjo reformë solli të drejtën e Avokaturës së Shtetit dhe drejtorit të përgjithshëm të AKKP, për të rishikuar vendimet që ishin në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në këtë reformë, u rritën kufizimet në abuzime në krahasim me ligjin e mëparshëm, i cili u njihte në mënyrë absurde të drejtën e kthimit për pasuritë që ishin blerë më parë nga persona të tretë për ndërtime. Pra, mori fund ky absurditet.








